Hill: Është koha për ta vënë Asociacionin në tryezë dhe të diskutohet seriozisht për të

23:00 | 12 Gusht 2022

Tema e asociacionit vazhdon të jetë në fokus të mediave.

Ambasadori amerikan në Beograd Christopher Hill tha sot në një intervistë në RTS, se në vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili është caktuar për 18 gusht, në rend dite duhet të jetë tema e Asociacionit të Komunave Serbe.

Hill tha në emisionin “Oko” në Radio Televizionin e Serbisë se mendon se nuk ka pyetje më të rëndësishme se si do të jetojë komuniteti serb në Kosovë në të ardhmen, sa ndihen të sigurt dhe nëse duan të qëndrojnë në Kosovë.

“Mendoj se Asociacioni është një rrugë e mirë, për të është folur prej vitesh. Është koha ta vendosim në tavolinë dhe të bisedojmë seriozisht për të”, ka thënë Hill.

Ai theksoi se zgjidhje të tilla ekzistojnë në shumë vende demokratike dhe vlerësoi se “mund të aplikohen edhe në Ballkan”, duke theksuar se “çdo vend, përfshirë edhe Kosovën, nëse dëshiron të arrijë standardet evropiane dhe të pranohet në familjen e kombeve evropiane, atëherë duhet të afrohet seriozisht”.

“Të dyja palët duhet të angazhohen seriozisht për këtë çështje, për zgjidhjen e saj, për trajtimin e problemeve, me synimin që qëllimi përfundimtar të jetë funksional dhe i qëndrueshëm në botën reale”, tha Hill.

Hill tha se SHBA-ja sigurisht që ka vërejtur rritje të tensioneve mes Beogradit dhe Prishtinës kohët e fundit dhe vuri në dukje se të gjitha palët duhet të “frenojnë retorikën e tyre, sepse ka pasur disa fjalë të ashpra, të cilat nuk janë shumë të dobishme në këtë proces”.

“Kjo lloj atmosfere nuk ndihmon kurrë”. Ka pasur shumë përgatitje për javën e ardhshme dhe jam optimist se do të ketë përparim. Njerëzit me të vërtetë kanë nevojë për atë përparim, e gjithë kjo po zgjat shumë”, tha ambasadori.

Duke folur për luftën në Ukrainë dhe kërkesat e shumta të Serbisë për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, Hill theksoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në disa raste ka thënë se Serbia ka një qëndrim ushtarakisht neutral, por se nuk është politikisht neutrale dhe se ai “dënoi shumë qartë sjelljen e Rusisë”.

“Jam i lumtur kur shoh se Serbia e ka të qartë se kjo sjellje nuk mund të pranohet apo të krahasohet me asgjë që kemi parë gjatë historisë, është diçka për të cilën populli rus duhet të marrë përgjegjësi”, theksoi ai.

Ambasadori Hill tha se “i takon Serbisë dhe qytetarëve të saj të vendosin për sanksionet” dhe shtoi se mendon se “ata e kanë kuptuar se një sjellje e tillë e Rusisë është e papranueshme”.

Komento: