Zyra e Federatës Skitare të Kosovës në Brezovicë është plaçkitur nga Institucionet paralele.
Një gjë e tillë ka ngritur shqetësime te zyrtarët e FSK-së, që momentalisht janë në Are të Suedisë, ku po zhvillohet Kampionati Botëror në Ski.
“Në Brezovicë plaçkitet dhe po tentohet të na dëbojnë nga zyrat që Federata i ka vendosur në Hotel Molika. Kjo është bërë nga institucionet paralele. Për momentin, Policia e Kosovës është në vendin e ngjarjes. Janë hequr flamujt e Kosovës dhe kompjuterët, si dhe janë vjedhur dy palë ski”, ka bërë të ditur për Sportin në KTV, kryetari i Federatës Skitare të Kosovës, Milaim Kelmendi.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Komiteti Olimpik i Kosovës.
“Ne sapo e morëm informatën nga Federata Skitare, se persona ende të panjohur e kanë thyer objektin ku ndodhen zyrat e Federatës, ku edhe e kanë plaçkitur këtë të fundit. KOK-u e dënon këtë akt vandal, i cili është në kundërshtim të plotë me atë që e proklamon sporti dhe Lëvizja Olimpike. Ne u bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që sa më shpejt ta hetojnë dhe ta zbardhin rastin, si dhe personat përgjegjës të vihen para organeve të drejtësisë”, ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj.