
Bota e modës i ka dhënë lamtumirën një prej figurave më ikonike të saj. Valentino Garavani, stilisti legjendar italian i njohur në mbarë botën për elegancën, estetikën e rafinuar dhe ngjyrën e famshme “Valentino Red”, ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare në vilën e tij në Romë, i rrethuar nga njerëzit e tij më të afërt. Lajmi është konfirmuar nga Fondacioni Valentino Garavani dhe Giancarlo Giammetti, partneri i tij i jetës dhe bashkëpunëtori më i rëndësishëm profesional për më shumë se gjashtë dekada.
Pas ndarjes së tij nga jeta, vëmendja e medias ndërkombëtare është rikthyer edhe te historia e veçantë e marrëdhënies mes Valentino Garavanit dhe Giancarlo Giammettit, një lidhje që ka tejkaluar kornizat tradicionale të romancës dhe është shndërruar në një partneritet unik njerëzor, artistik dhe profesional. Të dy u takuan në Romë në vitin 1960, në një moment kur Valentino ishte ende një stilist i ri me ambicie të mëdha, ndërsa Giammetti studionte arkitekturë. Sipas tyre, ishte dashuri me shikim të parë, një lidhje që që në fillim u ndërtua mbi mbështetje emocionale dhe krijuese.
Giammetti braktisi studimet universitare për t’iu përkushtuar menaxhimit të shtëpisë së modës Valentino, duke u kthyer në shtyllën strategjike që i lejoi stilistit të përqendrohej plotësisht te krijimtaria. “Ne ishim bashkë. Ishim forca e njëri-tjetrit. Ky ishte kapitali ynë i vërtetë”, është shprehur ai në një nga deklaratat më të njohura për marrëdhënien e tyre. Edhe pse lidhja romantike zgjati rreth 12 vjet, ndarja nuk e shkatërroi marrëdhënien e tyre, përkundrazi e transformoi atë në një bashkëjetesë shpirtërore dhe profesionale që zgjati për gjithë jetën.
Vetë Valentino ka shpjeguar se diferencat e karaktereve dhe përkushtimi ekstrem ndaj punës ndikuan në përfundimin e romancës, ndërsa Giammetti ka pranuar se fundi i pjesës fizike të marrëdhënies ishte i vështirë, por se koha dhe pjekuria e kthyen lidhjen e tyre në diçka më të fortë dhe më të thellë. Ata zgjodhën gjithmonë diskrecionin, duke e mbajtur jetën personale larg medias, jo si fshehtësi, por si një mënyrë për të mbrojtur diçka që e konsideronin thellësisht personale.
Giammetti nuk e ka pëlqyer kurrë rolin e “njeriut në hije”, edhe pse shpesh është përshkruar si truri pas suksesit të Valentino-s, ndërsa stilisti konsiderohej talenti i pastër artistik. Megjithatë, të dy nuk kanë hezituar kurrë të flasin hapur për dashurinë dhe respektin që ndanin për njëri-tjetrin. “E jona është një dashuri vëllazërore, pa asgjë seksuale, por një dashuri e madhe, e vjetër dhe e bazuar në mbijetesë”, ka thënë Giammetti gjatë prezantimit të librit të tij autobiografik.
Edhe pas tërheqjes së Valentino Garavanit nga pasarela në vitin 2008, bashkëpunimi i tyre nuk u ndërpre. Giammetti qëndroi pranë tij në çdo projekt kulturor dhe artistik, përfshirë punën në opera dhe teatro edhe pas vitit 2017. Përtej modës, ata ndanë një angazhim të fortë filantropik, duke themeluar në vitin 2016 Fondacionin Valentino Garavani dhe Giancarlo Giammetti, i dedikuar promovimit të artit, modës dhe kulturës italiane.
Në qershorin e kaluar, fondacioni hapi një hapësirë të re kulturore në Romë, PM23, në të njëjtën adresë ku Valentino kishte hapur atelienë e tij të parë në vitin 1959. Ky projekt, siç ka shpjeguar vetë Giammetti, ishte menduar për të ardhmen, në një kohë kur humbja e Valentinos nuk ishte ende një realitet. Sot, kjo hapësirë dhe gjithë trashëgimia e përbashkët e dyshes mbeten dëshmi e një dashurie dhe bashkëpunimi që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e modës botërore.
