Sot është vendosur ora e dimrit.
E kjo, në mes të një debati gati planetar nëse duhej vijuar me ndryshimin e saj apo jo.
Por kush e hodhi këte ide për herë të parë? Cila është në fakt ora e natyrshme, verore apo dimërore?
Ndërkohë, mësoni rastin kur një ndryshim ore çoi në tre viktima….
Dielli dhe politika
Ora dimërore është ajo e natyrshma sipas lëvizjes diellore. Ndërsa ajo verore është futur me ligj, domethënë me dekret, dhe kryesisht është çështje e politikës së një vendi. Disa vende nuk e ndryshojnë orën, siç janë Rusia, Kina, India, pjesë e Amerikës së Jugut e Afrika e Jugut. Ata janë në orën dimërore, pra kohën natyrale.
Të luash me kohërat
Tetë vjet më parë, Federata Ruse vendosi të qëndrojë me orën verore përgjithmonë. Por vendim nuk zgjati shumë. Që në 2014-ën, Duma Ruse vendosi që ora dimërore të përdoret përgjithmonë. E kjo pasi ankesave për shëndetin, ku pretendohej se sa herë që ora ndryshonte, shumë njerëz ankoheshin se nuk ndiheshin mirë: kishin lodhje, rënie energjish e humori. Sidoqoftë, mjekësia nuk e ka trajtuar saktësisht këtë çështje, por disa studime kanë zbuluar se trupi mësohet me të renë për rreth 15 ditë. Në çdo rast, sipas mjekëve, lëvizja e orës ka një ndikim të papërfillshëm në trup.
Ndryshimi i orës me pasojë vdekjen
Në shtator 1999, Bregu Perëndimor ishte akoma në orën verore, ndërsa Izraeli po e ndryshonte atë duke e çuar një orë pas, në atë dimërore. Disa militantë nga Bregu Perëndimor po përgatsnin bomba me kohë për t’i shpërthyer në Izrael. E pasi nuk ishin në dijeni për ndryshimin e orës, ato shpërthyen një orë para planifikimit, ndërsa nuk ishin vendosur akoma. Të tre sulmuesit u vranë.
Histori
Ish-presidenti amerikan Benjamin Franklin ishte i pari në shekullin e 18-të që përmendi mundësinë ndryshimit të orës për të përdorur më efektivisht ditën. Vendi i parë që e dëgjoi atë dhe filloi të luante me kohën bazuar në atë ide, ishte Kanadaja. Në Evropë, Gjermania është e para, e ndjekur nga Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Austro-Hungaria. Këto vende e ndërmorën këtë hap për të kursyer energji gjatë Luftës së Parë Botërore. Në vitet 1970, kur çmimet e naftës u rritën ndjeshëm gjatë krizës së energjisë, disa vende rivendosën ndryshimin e orës, pikërisht për arsye kursimi e shfrytëzimin maksimal të ditës.