Hodhi në erë hotelin në Sarandë, arrestohet djali i njërit prej bashkëpronarëve

10:46 | 14 Shkurt 2023

Autori i hedhjes në erë me tritol të hotel “Bizantit” në Sarandë është arrestuar. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm në bulevardin e qytetit, teksa nga shpërthimi i fuqishëm u dëmtuan dhe 30 objekte pranë hotelit. Autori i dyshuar sipas policisë është Sotir Çabiri, djali i një prej bashkëpronarëve.

Palët ishin në proces gjyqësor prej disa vitesh, për ndarjen e pronësisë mbi këtë hotel.

Sipas policisë, pas ngjarjes së ndodhur mëngjesin e djeshëm, në Sarandë, u ngrit një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistët dhe ekspertët më të mirë të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, DVP Vlorë dhe Komisariatit të Policisë Sarandë, dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, vijuan veprimet për zbardhjen e ngjarjes.

Falë hetimeve të shpejta dhe profesionale, të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, për rreth 12 orë, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe ndalimi i autorit të dyshuar, shtetasit:

-Sotir Çabiri, 36 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, me pasoja të rënda materiale.

Policia ka sekuestruar dhe veshje që dyshohet se janë përdorur nga autori, gjatë vendosjes së lëndës eksplozive, 3 celularë dhe sende të tjera që u gjetën në vendngjarje.

Ky shtetas, mëngjesin e djeshëm, në lagjen nr. 1, Sarandë, dyshohet se ka vendosur një sasi lënde eksplozive, në hotelin që babai i tij, shtetasi Spiro Çabiri, 63 vjeç, kishte në bashkëpronësi me shtetasin Dhimitër Evangjeliu, për shkak të një procesi gjyqësor që kishin 63-vjeçari dhe shtetasi Dhimitër Evangjeliu, proces i nisur që në vitin 2002, dhe në përfundim të të cilit, pjesa më e madhe e këtij hoteli do të kalonte në pronësi të shtetasit grek Dhimitër Evangjeliu.

Si pasojë e shpërthimit me eksploziv, u shkatërrua plotësisht hoteli i ndërtuar në vitin 1996 dhe gjithashtu u shkaktuan dëmtime të fasadave të objekteve të tjera në afërsi të hotelit. Nga shpërthimi nuk pati asnjë shtetas të dëmtuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme./ABCnews/

Komento: