Hoti: Anulimi i centralit me gaz amerikan ishte gabim i madh strategjik

16:40 | 04 Qershor 2026
hoti:-anulimi-i-centralit-me-gaz-amerikan-ishte-gabim-i-madh-strategjik

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hotit ka kritikuar Qeverinë për anulimin e projektit të centralit energjetik me gaz amerikan, duke e cilësuar atë si një gabim me pasoja të mëdha ekonomike dhe strategjike për vendin.

Në një postim në Facebook, ai tha se projekti nuk ishte vetëm një investim në sektorin e energjisë, por edhe një element i rëndësishëm për forcimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Centrali energjetik me gaz amerikan – projekti që u anulua nga Kurti dhe sejmenët e tij – i ka kushtuar secilës familje kosovare mijëra euro dhe i ka shkaktuar Kosovës humbje të mëdha strategjike”, ka shkruar ai.

Sipas tij, mesazhet e fundit nga diplomacia amerikane tregojnë rëndësinë që kishte ky projekt për të ardhmen energjetike të Kosovës.

“Siç u dëshmua edhe sot nga mesazhi i qartë i diplomacisë amerikane, ky projekt nuk ka qenë thjesht një investim energjetik. Ai është esencial për pavarësinë energjetike të Kosovës, për sigurinë tonë ekonomike dhe për forcimin e partneritetit me aleatin tonë më të rëndësishëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar kandidati i LDK-së.

Ai ka vlerësuar se Kosova ka mbetur prapa vendeve të rajonit për shkak të vendimeve që, sipas tij, janë udhëhequr nga interesa politike dhe jo shtetërore, duke kërkuar që qeveria e ardhshme ta rikthejë projektin në agjendë.

“Qeveria e ardhshme duhet urgjentisht t’i kthehet këtij projekti dhe ta trajtojë atë si prioritet kombëtar”, ka theksuar ai.

Më tej, kandidati ka thënë se anulimi i projektit po rezulton gjithnjë e më shumë si një vendim i gabuar.

“Sot po bëhet gjithnjë e më e qartë se anulimi i tij ishte një gabim i madh strategjik, pasojat e të cilit po i paguajnë qytetarët e Kosovës. Kosova nuk mund të ndërtojë të ardhmen e saj energjetike duke refuzuar alternativat që e bëjnë më të pavarur, më të zhvilluar dhe më të lidhur me botën perëndimore”, ka shkruar ai.

Komento: