Sa u rritën importet nga Serbia gjatë qeverisjes së Kurtit? Hoti del me një grafikë.
Ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka publikuar një grafikë të importeve të Kosovës nga vendet e rajonit për vitin 2020 dhe 2021.
Hoti ka shkruar se gjatë vitit 2020 sa ishte kryeministër Kosova importonte mallra nga Shqipëria më së shumti, kurse në qeverisjen e kryeministrit Kurti në vitin 2021, Kosova ka importuar më së shumti mallra nga Serbia me një rritje prej 76% për një vit raporton Gazeta Express.
“Më 2020, Shqipëria ishte vendi i parë në rajon prej nga Kosova importonte mallra, Maqedonia e Veriut e dyta, ndërsa Serbia e treta. Në vitin 2021, trendi ndryshon. Serbia kthehet në vendin e parë, me rritje prej 76%”, ka shkruar ai.
Deputeti i LDK-së, ua ka kujtuar Vetëvendosjes reciprocitetin e premtuar me Serbinë që s’është zbatuar dhe rrotullimin e kamionëve me mallra serbe.
“Një herë e një kohë, disa i rrotullonin kamionët që importonin mallra nga Serbia. Një herë e një kohë, disa zotoheshin për reciprocitet”, ka shkruar ai.