Hoti: Dyshohet për dy mbetje mortore në Podujevë, falemnderit Haxhiut për “asistencën publike”

17:19 | 26 Korrik 2024
hoti:-dyshohet-per-dy-mbetje-mortore-ne-podujeve,-falemnderit-haxhiut-per-“asistencen-publike”

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar nga Kosova për të Pagjeturit , Andin Hoti thotë për “front Online” se gjatë gërmimeve në Podujevë sot është hasur në eshtra apo mbetje mortore të një shqiptari.

Hoti thotë se në bazë të informacioneve dyshohet për dy trupa në atë lokacion por ekipet kanë hasë deri më tash në një trup.

“Ne veçse e kemi bërë publike që jemi duke bërë gërmime në lokacione në Podujevë dhe disa vende tjera. Kryesisht këto lokacione janë si rezultat i informacioneve që kemi marrë nga Shoqata për persona të zhdukur e Podujevës dhe në lokacionin që sot ka pasur gjetje, do të thotë që kemi hasë në eshtra apo mbetje mortore. Në bazë të raporteve, informacioneve që i kemi dyshohet për dy trupa por ekipet kanë hasë deri më tash në një trup. Bëhet fjalë për dy trupa shqiptarë të asaj zone”, tha ai.

Hoti thotë se gërmimet do të vazhdojnë ende derisa të trajtohet komplet lokaconi.

“Por ekipet nuk e përfundojnë këtu punën e tyre derisa trajtohet komplet lokacioni apo komplet kordinatat që ne i kemi pasë i kemi udhëzu për urdhëresë pastaj në Gjykatë”, theksoi tutje ai.

Hoti thotë se në atë zonë kishte gërmime edhe më parë, por në bazë të koordinimit ndërisntitucional janë rikthyer pasi ka pasur bazë për gërmime të mëtutjeshme.

“Në fakt ky ka qenë gërmim që kemi qenë para shumë vitesh, dhe tash jemi rikthyer në ato zona për shkak të koordnimit ndërinstitucional e kemi parë të arseyshme që mundet me pasë bazë për gërmim”, tha Hoti.

Lajmin se janë gjetur mbetje mortore në varrezat afër Tjegullores në Podujevë, e dha Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nëpërmjet një postimi në “Facebook”.

Lidhur me këtë Hoti thotë për “Front Online” se e falenderon ministren Haxhiu për asistencë publike, në punët që i kryen ai e po njofton ministrja.

“E falenderoj Haxhiun për “asistencë publike”, që po njofton për lajmet që kanë të bëjnë me gërmimet tona”, tha Hoti.

Komento: