Hoti: E pakuptueshme si ministri Murati nuk e redukton TVSH-në nga 18% në 8%

10:53 | 11 June 2022

“Dikush t’i tregojë ministrit se me ligj mund ta ulë TVSH-në”

Ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se është e pakuptueshme përse pas shumë muajsh të rritjes enorme të çmimeve, Ministri i Financave nuk e redukton TVSH-në nga 18% në 8% edhe për këto mallra, në mënyrë që sadopak të ulet barra për familjet.

Ai në një postim në Facebook ka shtruar pyetjen se pse nuk po shtohet lista e mallrave me normë të reduktuar të TVSh-së prej 8%, siç mundëson ligji në fuqi.

“Neni 26 i Ligjit për TVSH, pika 2, përcakton listën e mallrave për të cilat paguhet normë e reduktuar e TVSH-së prej 8%, ku përfshihen: uji, energjia elektrike, drithërat dhe prodhimet e tyre, qumështi dhe produktet e tij, vezët, librat shkollorë, pajisjet e teknologjisë së informacionit, barnat dhe pajisjet mjekësore. Ky ligj është miratuar në vitin 2015 nga Qeveria Mustafa, si pjesë e Pakos Fiskale 1. Ndërkaq, pika 3 e të njëjtit nen specifikon se: ”Ministri i Financave mund të nxjerr akt nën-ligjor për zgjerimin e listës së produkteve me normë të reduktuar sipas Shtojcës III të këtij ligji”. Shtojca III përmban listën e mallrave ushqimore për konsum të njeriut dhe të kafshëve, farërat, bimët, e shumë mallra të tjera, për të cilat mund të reduktohet TVSH-ja nga 18% në 8%”, ka thënë ai.

“Është e pakuptueshme përse, pas shumë muajsh të rritjes enorme të çmimeve, Ministri i Financave nuk e redukton TVSH-në nga 18% në 8% edhe për këto mallra, në mënyrë që sadopak të ulet barra për familjet. Dikush është dashur t’i tregojë Ministrit për këtë mundësi që ia ofron Ligji në fuqi për TVSH”, ka shkruar Hoti.

Komento: