Hoti flet si kryeministër: Mbi 1 miliard euro do të mobilizohen për pakon ekonomike të qeverisë së re

13:36 | 14 Maj 2020

Kosova pritet të përballet me krizë ekonomike pas pandemisë.

Kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti ka folur për pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike të Qeverisë së re.

Hoti ka premtuar se mbi 1 miliardë euro do të mobilizohen për Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike të Qeverisë së re.

Me anë të një postimi në Facebook, ai ka thënë se një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve do të futen sivjet në ekonomi, për të mbështetur bizneset që të qëndrojnë në treg dhe të mbajnë punëtorët në punë.

Postimi i plotë:

Mbi 1 miliard euro do të mobilizohen për zbatimin e Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike të Qeverisë së re.

Një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve do të futen në ekonomi sivjet, për të mbështetur bizneset që të qëndrojnë në treg dhe të mbajnë punëtorët në punë.

Ndërkaq, në vitet në vijim do të mbështeten investimet private dhe publike që krijojnë vende pune në prodhim, bujqësi, teknologji dhe sektorë me vlerë të shtuar.

Në zbatimin e masave të kësaj pakoje do të përfshihen odat ekonomike, bankat, shoqatat e profesionistëve, institucionet akademike, komunat, investitorë nga diaspora jonë dhe partnerët ndërkombëtar që mbështesin zhvillimin e Kosovës.

Legjislacioni i nevojshëm për zbatimin e kësaj pakoje do të procedohet në Kuvend menjëherë pas formimit të Qeverisë së Re.

Kjo pako është pjesë e Programit të Qeverisë së Re, që është duke u harmonizuar me të gjithë partnerët e koalicionit qeverisës.

Komento: