Hoti i përgjigjet Vuçiqit për aplikimin e Kosovë në BE: Po tenton të mashtrojë

16:05 | 15 December 2022

Aplikimi i Kosovës në BE, Hoti i përgjigjet Vuçiqit: Po tenton të mashtrojë.

Sot presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se me aplikimin për anëtarësim në Bashkim Evropian, Kosova e ka shkelur Marrëveshjen e Washingtonit. Mirëpo, njëjtë nuk mendon kryeministri që nënshkroi këtë marrëveshje më 4 shtator të 2020-s.

Ish kryeministri Avdullah Hoti për Express pasi përmendi përfitimet e Kosovës nga kjo marrëveshje, tha se “kushdo që e interpreton ndryshe këtë marrëveshje tenton ta mashtrojë opinionin publik”.

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, ashtu edhe siç pritej, nuk i ka pëlqyer shumë presidentit të shtetit fqinj, Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai gjatë një vizite në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë ka thënë se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkim Evropian është shkelje e marrëveshjes së Washingtonit, të nënshkruar në shtator të 2020-s.

Në një prononcim për Gazetën Express, për këtë deklaratë të Vuçiqit, ka folur kryeministri i atëhershëm, Avdullah Hoti.

Hoti që vuri firmën e tij mbi Marrëveshjen e Washingtonit, fillimisht përmendi përfitimet e Kosovës nga kjo marrëveshje.

Ai tha se marrëveshja e nënshkruar mes Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin e presidentit Trump i ka sjellë Kosovës një njohje të re, atë të Izraelit, derisa shtoi edhe disa elemente të tjera.

“Marrëveshja e Washingtonit i ka sjell Kosovës një njohje të re, e ka definuar kufirin shtetëror mes Kosovës dhe Serbisë, i ka përcaktuar zotimet e Kosovës për projekte rajonale infrastrukturore dhe çështje të tjera. Pra, kjo marrëveshje e ka fuqizuar shtetësinë e Kosovës”.

Hoti deklaroi se marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë është publike dhe sipas tij “kushdo që e interpreton ndryshe këtë marrëveshje tenton ta mashtrojë opinionin publik”.

Marrëveshja e Washingtonit u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, mes kryeministrit të atëhershëm, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas kësaj marrëveshje, Kosova nuk kishte të drejtë që për një vit të aplikonte për anëtarësim në institucione apo organizata ndërkombëtare, derisa Serbia do ta ndalte fushatën për çnjohje të pavarësisë së Kosovës.

Ky moratorium ishte i paraparë për një vit, mirëpo në përvjetorin e nënshkrimit të saj, Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi që moratoriumi të vazhdonte.

“Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Serbia (Beogradi) do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur. Të gjitha marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë”, thuhej në marrëveshjen e 2020-s.

Komento: