Hoti i quan mashtrues, hipokritë e anarkistë Kurtin e Osmanin – SHBA i nxorri nga bataku

10:56 | 14 December 2022

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti i ka cilësuar si “anarkistë”, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti. Sipas tij “SHBA-ja i nxori nga bataku”.

Këtë etiketim Hoti e bëri teksa fliste për marrëdheniet e Kosovës me SHBA-të, duke thënë se koordinimi me SHBA-të kurrë nuk është i dëmshëm.

Ai e ka përmendur marrëveshjen e Uashingtonit, ku thotë se ishte akuzuar për ”tradhëti“ nga opozita e atëhershme pse kishte pranuar që Kosova të mos aplikojë një vite në organizata ndërkombëtare.

”Në të vërtetë, ajo çfarë kisha bërë unë në Shtëpinë e Bardhë ishte dakordimi me aleatin kryesor të Kosovës për kohën e përshtatshme për aplikim. Vetëm mendje të sëmura politike mund të cilësonin akt tradhtie një marrëveshje për Kosovën me SHBA-në të arritur në Shtëpinë e Bardhë“, ka shkruar Hoti në Facebook. ”Tani Presidentja i shtyn zgjedhjet në komunat në veri pa asnjë bazë kushtetuese. Këtë ajo e bëri me kërkesë të ShBA-së pas situatës së krijuar në komunat në veri dhe në koordinim me shefin e saj në Qeveri“.

Hoti e ka ashpërsuar gjuhën e tij, ku pos anaristë, Osmanin dhe Kurtin e ka cilësuar edhe ”mashtrues“ dhe ”hipokritë“.

”Unë e kuptoj se nuk ka pasur zgjidhje tjetër, por krahasoni vetë këto dy situata: Më 4 shtator 2020, ne bëmë veprim strategjik në koordinim me SHBA-në. Ndërkaq, tani SHBA-ja i nxori këta dy anarkistë nga bataku ku kishin rënë, të cilin e kishte përgatitur Serbia me strukturat kriminale në veri. Këta janë vetëm hipokritë e mashtrues, që shkelin çdo gjë për pozitat e tyre“, ka thëë Hoti.

Komento: