Hoti i tregon Kurtit se si “anulohet ligjërisht Asociacioni”: Vetëm sille në Kuvend, unë ta votoj

13:13 | 09 December 2022

Sille në Kuvend dhe anulojmë ligjërisht. Kështu i kërkoi Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdulah Hoti, Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të veprojë në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Hoti tha se do të votonte “për” anulimin ligjor të saj, derisa tha se atëbotë opozitar kishte fjalë krejtësisht tjera.

Përveç artikulimit të një kërkese të tillë, Hoti edhe publikoi procedurën se si anulohet ligjërisht një marrëveshje ndërkombëtare.

“Ligji e përcakton si mundet Kosova të tërhiqet nga një marrëveshje ndërkombëtare. Qeveria duhet të marrë vendim për këtë dhe ta sjell në Kuvend. Tash duhet kaluar nga fjalët në vepra, ndryshe quhet mashtrim”, mbishkroi Hoti mbi publikimin e Ligjit Nr.04/L-052 për Marrëveshje Ndërkombëtare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se për punën e Asociacionit ka mbajtur edhe burg. Ai këtë e ka thënë teksa ka replikuar me deputetin Avdullah Hoti, i cili tha se i është dashur të mbrohet nga spreji që Kurti kishte hedhur disa vite më parë në seancë.

“Është e vërtet, unë kam bërë si aktivist politik e deputet opozitar kundërvajtje, por unë kam mbajtur burg për këtë punë. Për të gjitha kundërvajtjet e mia kam mbajt burg. Shteti i së drejtës nuk është ende siç duhet sepse janë ca kriminelë të tjerë që s’janë ende prapa grilave”, tha Kurti në seancën e Kuvendit.

Ndërkaq Hoti, ia shpaloi kontrastin mes asaj që Kurti profesonte në opozitë dhe atë që vepron në pozitë.

“A e din ku e kam problemin unë, ligjërimin e Kryeministrit po e marrim si parimor, po ky ndryshe i ka fjalët e ndryshe veprimet. Unë kam qenë saktë aty ku është Ministri i Financave, kur Kryeministri me sprej mu ka drejtuar dhe mu më është dashtë me këto fletore me u mbrojt nga sprej. Jo gaz, sprej”.

“Në rregull ka qenë qëndrim politik. Këtu ku jam ulur është e dëmtuar karrigja, me gaz lotsjellës, ka qenë qëndrim politik. Pse nuk po i merr vendimet tash. I ke mekanizmat, je kundër një marrëveshje, ligji për marrëveshje ndërkombëtare ta mundëson, procedurat qysh dorëhiqesh. Sille në Kuvend, dhe unë kam me votuar për. S’mundemi ndryshe me i pasë veprimet ndryshe fjalët”, ka thënë Hoti.

Komento: