
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, konsideron se aktualisht ka kombinim fatal për buxhetin e shtetit nga joefikasiteti i Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe tenderët njëburimorë në rritje.
Sipas tij, joefikasiteti i këtij institucioni është shqetësues për buxhetin publik.
“Kombinim fatal për buxhetin e shtetit nga joefikasiteti i Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe tenderët njëburimorë në rritje. Sot, në Komisionin për Buxhet shqyrtuam raportin vjetor të punës të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Joefikasiteti i këtij institucioni është shqetësues për buxhetin publik”, shkroi ai në Facebook.
Ai ka theksuar se gjysma e stafit kanë dhënë dorëheqje në dy vitet e fundit, ku një pjesë e tyre nuk janë zëvendësuar, gjë që sipas Hotit ka ndikuar shumë në shqyrtimin e lëndëve.
Ai potencon se OSHP e ka ndryshuar rregulloren e punës, duke e rritur vlerën e lëndëve që shqyrtohen me vetëm një anëtar nga 120 mijë euro në 300 mijë.
“Më herët, këto lëndë janë trajtuar nga paneli prej 3 anëtarëve. Kjo është drejtësi kontekstuale, me vendime që merren brenda kufizimeve me të cilat përballet OSHP”.