Ish-kryeministri i Kosovës, aktualisht deputet i LDK-së, Avdullah Hoti, foli në Ditarin e orës 13:00 në A2 CNN për situatën e tensionuar në veri.
Hoti u shpreh se situata në terren ka arritur në atë pikë për shkak të veprimeve të qeverisë aktuale të Prishtinës të pa koordinuara me partnerët ndërkombëtarë. Ai theksoi se paqja në veri sigurohet nga partnerët e Kosovës, pavarësisht retorikave të nga të dyja palët.
“Shpresoj që gjendja të mos përkeqësohet dhe veprimet që janë ndërmarrë në terren të kthehen mbrapa dhe qytetarët t’i rikthehen jetës normale. Situata atje është krijuar me direktiva të Beogradit duke shfrytëzuar një pjesë të komunitetit serb për qëllime të Beogradit. Unë shpresoj që autoritetet në Kosovë të ndërmarrin veprimet e nevojshme në bashkëpunim edhe me partnerët tanë.
Si mund të ndalohet përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës?
“Veprime të ngjashme ka pasur vazhdimisht nga ana e Beogradit. Në vitin 2012 apo në vitin 2013 kur është dialoguar në Bruksel. Me kalimin e viteve është fuqizuar roli i Beogradit mbi komunitetin serb, tani zyrtarët apo eksponentë të komunitetit serb janë plotësisht nën kontrollin e Beogradit. Personat përgjegjës në Kosovë të mos japin asnjë shkas për veprime që çojnë në eskalim të situatës në veri. Për çështjet që nuk janë shumë kapitale, ne nuk duhet të dëmtojmë arritjen e objektivave madhorë, normalizimi i marrëdhënieve. Qeveria e ka bërë të qartë që nga dita e parë që nuk e ka prioritet dialogun, por tashmë po e kupton që ajo është rruga e vetme për të zgjidhur çështjen”.
Deklarata e Vuçiç për 1 mijë ushtarë në Kosovë
“Unë besoj që ajo është për retorikë për konsum të brendshëm në Serbi. Çdo politikan me pak mend në kokë e kupton që është një deklaratë që nuk pi ujë. Unë dua të shoh veprime me maturi nga Kosova, koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe përmes dialogut të zgjidhin çështjen. Çdo eskalim i situatës nënkupton aktivizim i Eulex dhe i KFOR për të ruajtur rendin atje. Ne duhet të ruajmë këto arritje që kemi bërë deri tani dhe të shohim përpara”.
Plani franko-gjerman
“Është vështirë që tani të mendohet të arrihet shpejt një marrëveshje me atë që ka ndodhur në terren. Në veri nuk ka policë serbë, autoritetet lokale nuk funksionojnë, nuk ka institucione të rendit dhe të sigurisë. Situata është e rëndë në terren. Dialogu do të fokusohet te situata në terren, por dialogu nuk ka alternativë. Besoj se mësimin e kanë marrë të gjithë”.
Dialog pa transparencë
“Transparenca për dialogun deri tani pothuajse ka qenë zero. Liderët e opozitës janë ftuar zakonisht kur rrjedha e dialogut ka dalë nga normaliteti. Unë besoj se braktisja e kornizës së dialogut ku diskutohej vetëm për njohje reciproke dhe që marrëveshja do të duhej të arrihet vetëm në përputhje me kushtetutën. Besoj kjo e ka sjellë situatën këtu ku jemi”.
“Kosova nuk dialogon me Serbinë, por me ndërkombëtarët”
“Kosova dialogon me partnerët ndërkombëtarë. Ne marrim mbështetje nga ata dhe i qasemi dialogut. Nuk besoj se në dialog me Serbinë ne mund të arrijmë ndonjë gjë pa ndërkombëtarët. Ajo që kam bërë unë, ka qenë korniza e dialogut për marrëveshje përfundimtare me 11 pika”.
Pretekstet e Vuçiç
“Ne si Kosovë nuk mund ta imponojmë agjendën e dialogut, por ne mund të bëjmë koordinim të veprimeve tona shtetërore karshi Serbisë me partnerët ndërkombëtarë. Nëse ne nuk e bëjmë këtë, atëherë humbet fokusi nga njohja reciproke. Fatkeqësisht, gjatë kësaj periudhe qeveria ka ndërmarrë veprime të pakoordinuara me ndërkombëtarët”.
Një notë për qeverinë Kurti
“Ne nuk diskutuam për politikën brenda vendit. Por gjatë këtyre dy viteve kemi kaluar nga njëra krizë në tjetrën deri në krizë totale tani në procesin e dialogut. Unë besoj atë që kam thënë vazhdimisht, në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, ne kemi pasur një aksident politik me mbështetjen që ka marrë kjo qeveri. Unë besoj të ndërrojë sa më parë skena politike. Kjo qeveri nuk ka kapacitetet për të ndërmarrë mbi supe këto procese kaq të rëndësishme. Nuk ka notë kaluese”.
Çfarë ditësh e presin Kosovën në vijim?
“Ndoshta ju nuk jeni mësuar me një retorikë të tillë në Tiranë, por ne jemi mësuar me një retorikë të tillë nga Beogradi. Unë pres që normaliteti të kthehet shpejt atje. Çfarë do mesazhi që vjen nga Beogradi dhe ndonjë retorikë e panevojshme që mund të vijë nga Prishtina, veç se mashtrojnë veten politikanët si në Kosovë, si në Serbi për eskalim të situatës atje. Janë përnarët tanë ndërkombëtarë që përfundimisht e garantojnë paqen dhe sigurinë në atë pjesë të vendit”.