Hoti: PAN-it, mashtrimet elektorale iu kanë dalë sheshit

12:03 | 18 Janar 2019

Deputeti i LDK-sw, Avdullah Hoti i ka treguar Qeverisë se si ndalen grevat në arsim e shëndetësi.

Hoti, ka thënë se koalicioni qeverisë PDK, AAK dhe NISMA po heshtin karshi grevave të shumta në të cilën janë përfshirë arsimi dhe shëndetësia.

Sipas Hotit gjendja duhet të sanohet duke anuluar vendimin e Qeverisë për rritje pagash.

Ai thotë se ligji për paga duhet të rishkruhet së bashku me arsimtarët, mjekët e shërbyesit civil.

“Kryesia e Kuvendit sot e caktoi seancën e re. Por, asnjë fjalë nga koalicioni i “punëve të mëdha” PAN lidhur me paralizimin e arsimit dhe të shëndetësisë. Rreth 360 mijë nxënës nuk kanë nisur mësimin. Mijëra pacientë janë në pritje të trajtimit shëndetësor për shkak të grevës së mjekëve. Shërbyesit civilë kanë paralajmëruar grevë. Minatorët e Trepçës shprehin vërejtje për punësimet pa konkurs”, ka shkruar Hoti, transmeton Gazeta Express.

Ai thotë se ekzekutivi nuk po merr përgjegjësi për këtë.

“Për këtë gjendje koalicioni i “punëve të mëdha” PAN nuk merr përgjegjësi. Mashtrimet elektorale iu kanë dalë sheshit, ka shtuar Hoti.

Për të ndalur gjithë grevat, Hoti thotë se duhet anuluar vendimi i Qeverisë për rritje pagash të kabinetit qeveritar dhe të ri-shkruhet ligji për pagat në konsultim me të gjithë ata që marrin paga nga buxheti i shtetit.

“Kjo gjendje nuk duhet të vazhdojë më tutje. Vendimi i Qeverisë për rritje të pagave për kabinetin qeveritar duhet të anulohet, sepse bie në kundërshtim me ligjin për financat publike dhe paraqet konflikt të interesit sipas vendimit të Agjencisë Antikorrupsion. Ligji për paga duhet të ri-shkruhet në konsultim të ngushtë me arsimtarët, mjekët, shërbyesit civil, policinë, zjarrfikësit, doganierët dhe inspektorët tatimorë, komunat dhe sektorët e tjerë”, ka përfunduar Hoti.

Komento: