Hoti: Partitë politike janë të gatshme të pajtohen për presidentin

14:50 | 14 Dhjetor 2020

Hoti thotë se partitë politike janë të gatshme të pajtohen për presidentin, përmend edhe zgjedhjet.

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti thotë se Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në rast se nuk gjendet një zgjidhje për çështjen e presidentit.

Këto komente Hoti i ka bërë në takimin virtual me raportuesin për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Peter Beyer.
Në njoftim thuhet se përveç çështjeve me pandeminë, Hoti ka biseduar me Beyer edhe për zhvillimet e fundit politike.

Me theks të veçantë është diskutuar për çështjen e presidentit.

Në njoftimin e Qeverisë thuhet se Hoti e ka përsëritur qëndrimin se nëse nuk gjendet një zgjidhje, atëherë do të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Kryeministri Hoti ngriti edhe çështjen e Presidentit, ku theksoi gatishmërinë e subjekteve politike për të arritur një zgjidhje, ndërkohë që nënvizoi se nëse nuk do të ketë zgjidhje për këtë çështje vendi duhet të shkoj në zgjedhje”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim u bisedua edhe për procesin e dialogut Kosovës-Serbi i cili aktualisht po zhvillohet në nivel të ekspertëve. Me këtë rast Kryeministri Hoti theksoi se deklaratat kërcënuese nga zyrtarë të lartë të Serbisë nuk e ndihmojnë këtë proces.

Komento: