Avdullah Hoti ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, i ka reaguar presidentit serb Aleksandër Vuçiq, i cili diskutoi për mundësinë e futjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, duke e lidhur me çështjet me Kosovën.
Hoti ka thënë se deklaratat e tij “nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon, e aq më pak arritjes së marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes reciproke”.
Në Facebook, ai shkruan se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën drejt integrimit në NATO dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, SHBA-në dhe BE-në.
Vuçiq, të enjten kishte deklaruar se muajt e ardhshëm do hapet debat i gjerë publik për çështjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Deklarata e plotë e Hotit:
Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj drejt integrimit në NATO dhe thellimit të bashkëpunimit me partnerët strategjik ndërkombëtarë, SHBA-të dhe vendet mike të BE-së.
Deklarata e Presidentit të Serbisë Vuçiq, për ngritjen e kapaciteteve ushtarake, me pretekst zhvillimet në Kosovë, nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon, e aq më pak arritjes së marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes reciproke.