
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se projektligji për çmimet tavan është i papërmirësueshëm.
Sipas Hotit duhet të jetë masë urgjente ulja e ngarkesave tatimore, siç janë TVSH-ja dhe akciza.
“Projektligji për çmimet tavan, i cili kaloi në lexim të parë me procedura të shkurtuara, është i papërmirësueshëm. Sot, me shumë kujdes e analizuam këtë projektligj për të parë nëse mund të propozohen amendamente për të evituar çrregullimet në treg që pritet të sjellë ky projektligj nëse hyn në fuqi në formatin aktual të propozuar nga qeveria.
Vlerësimi i përgjithshëm është se asnjë amendament nuk mund ta sjellë këtë projektligj në linjë me kërkesat dhe parimet për funksionimin e tregut të lirë në kohë të krizave dhe inflacionit, sikurse që po kalojmë tani.
Masat e parapara në këtë projektligj nuk do ta mbrojnë konsumatorin. Ato masa do ta dëmtojnë biznesin dhe nuk sigurojnë arritjen e qëllimit për të cilin ndërmerren. Nuk e kuptoj përse nuk organizohen debate publike me oda ekonomike dhe me organizata të tjera për të marrë vlerësimet e tyre. Nuk e kuptoj përse qeveria nuk e sqaron publikisht si do të arrihet qëllimi i këtij ligji, që është mbrojtja e konsumatorit, përmes masave të parapara në këtë projektligj.
Logjika ekonomike në situata të tilla kërkon që ndërhyrjet të jenë në të dy anët e tregut, në anën e kërkesës dhe të ofertës.
Në anën e kërkesës duhet ndërmerren masa për të ruajtur grupet më të ndjeshme të qytetarëve, si: punëtorët që marrin pagën minimale, pensionistët, studentët, familjen në asistencë sociale dhe grupe të tjera të ngjashme. Mbështetja e këtyre grupeve nga buxheti i shtetit mund të jetë e njëhershme nëse kriza është e përkohshme dhe nëse çmimet stabilizohen shpejt. Nëse kriza vazhdon, atëherë mbështetja duhet të jetë e përhershme duke i indeksuar të ardhurat e këtyre grupeve për normën e inflacionit të produkteve të konsumit elementar.
Në anën e ofertës duhet të intervenohet në uljen e kostos për bizneset për ofrimin e mallrave në treg. Në këtë aspekt, masë e menjëhershme është ulja e ngarkesave tatimore, siç janë TVSH-ja dhe akciza. Duke qenë se të hyrat buxhetore rriten në kohë inflacioni për shkak të TVSH-së më të lartë në që mbledh shteti, është e natyrshme që ulja e normës së TVSH të ketë efekt minimal ose zero në të hyrat buxhetore.
Prandaj, mungesa e masave të tilla nga ana e Qeverisë së Kosovës është e pakuptueshme se kujt i shërben.
Disa nga këto masa janë ndërmarrë nga vendet evropiane. Shembulli më i fundit ishte Gjermania”, shkruan Hoti në reagim.