Hoti për qeverisjen e Kurtit: Kaotike, mashtruese, korruptive e abuzim flagrant me pushtetin

11:26 | 16 Dhjetor 2025
Hoti për qeverisjen e Kurtit: Kaotike, mashtruese, korruptive e abuzim flagrant me pushtetin

Kandidati i LDK’së për deputet, Avdullah Hoti, ka thënë se 28 dhjetori është “mundësi për kthimin në normalitet me kushtetutshmëri e ligjshmëri, për kthimin e aleancave euroatlantike dhe për fuqizimin e integrimeve mbarëshqiptare”.

Hoti ka thënë se katër vitet e fundit janë karakterizuar me qeverise kaotike dhe mashtruese.

“Vetingu në drejtësi, reformat në arsim e shëndetësi, energjia dhe shumë çështje të tjera të premtuara u dëshmuan se kanë qenë mashtrime elektorale. Menaxhimi i krizës energjetike dhe i inflacionit që pasoi ishte kaotik. Disa herë u zgjat situata emergjente në energjetikë përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës, por asgjë konkrete nuk ndodhi.”

Ai ka përmendur bashkimin e disa ministrive.

“Kaosi ka kapluar institucionet gjithandej për shkak të procesit të bashkimit të disa ministrive. Shumica e pozitave drejtuese nëpër ministri funksionojnë me ushtrues detyre jashtë çdo afati ligjor. Shumë zyrtarë kanë mbetur të pasistemuar, siç kërkohet me ligj. Në shumë raste, përmes vendimeve të organeve kompetente është dëshmuar se shkarkimet e zyrtarëve të lartë janë bërë në mënyrë joligjore. Ndërhyrjet në emërimet në pozita të larta janë të paprecedenta. Shumë ambasada janë pa staf të kompletuar.”

Hoti ka thënë se mbi 10 ligje dhe vendime të Kuvendit janë shpallur jokushtetuese.

“Si asnjëherë më parë, mbi dhjetë ligje dhe vendime të Kuvendit janë shpallur jokushtetuese. Ata që i kanë miratuar këto ligje, në vend që të reflektonin, kanë insistuar në shkeljet e tyre. Shkeljet vazhduar edhe me mbi 50 seanca jokushtetuese në procesin e konstituimit të Kuvendit. Qeverisja u shoqërua me afera korruptive dhe abuzime të hapura nga zyrtarë të lartë, tashmë nën hetim nga drejtësia.​”

Ai ka folur edhe për ekonominë, duke thënë se është “rënduar, me kosto të rritura të prodhimit dhe shportë shumë më të shtrenjtë të konsumit”.

“Rreth 14 miliardë euro janë shpenzuar në vitet 2021–2025, por efektet nuk vërehen askund. Ekonomisë i mungojnë qindra miliona euro për shkak të mosrealizimit të kontratave dhe shpenzimeve shumë të ulëta për investime kapitale. Shumë kompani private sot janë në vështirësi financiare si rezultat i rënies së aktivitetit të sektorit publik sa i përket investimeve kapitale, duke prodhuar efekte ekonomike dhe sociale negative në mbarë ekonominë. Edhe ato investime kapitale që janë bërë, në shumë raste janë realizuar përmes tenderëve njëburimorë. Një praktikë e tillë, në shumicën dërrmuese të rasteve, bie në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, pasi tri kushtet bazike të këtij ligji për nënshkrimin e kontratave njëburimore nuk plotësohen. Për më tepër, sa herë që nënshkruhet një kontratë njëburimore, nuk dihet nëse investimi publik po realizohet me çmimin më të ulët të mundshëm.”

Ish kryeministri ka shtuar se në sektorin e energjisë nuk është krijuar asnjë kapacitet i ri dhe se deficiti tregtar është dyfishuar në pesë vitet e fundit.

Hoti ka thënë se “partneritetet janë cenuar, ndërprerja e dialogut strategjik dhe sanksionet kanë bllokuar mbështetjen financiare dhe politike”.

Sipas tij “bashkëpunimi ndërshqiptarë është për keqardhje për shkak të agjendave elektorale”.

“Shqiptarët në të dy anët e kufirit Kosovë-Shqipëri po komunikojnë e lëvizin gjithnjë e më shumë, por ka tri vite që nuk ka mbledhje të përbashkëta të qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës. Në anën tjetër, Shqipëria mban mbledhje të përbashkët me Qeverinë e Italisë.

Politika përçarëse karshi shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe në Luginë të Preshevës ka krijuar një situatë të paprecedentë. Kosova gjithmonë ka shërbyer si përafruese dhe udhëzuese e spektrit politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriu e në Luginë. Në këto vite, po ndodh e kundërta. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë qenë faktori kryesor në ruajtjen e kursit pro-perëndimor të Maqedonisë së Veriut, duke u përpjekur në të njëjtën kohë të avancojnë pozicionin e tyre politik. Dhe në këtë drejtim janë arritur rezultate të konsiderueshme. Përçarjet e nxituara nga Qeveria e Kosovës kanë shkaktuar regres në këtë aspekt.”

Ndërsa sa i përket dialogut me Serbinë, Hoti ka thënë se “braktisja e dialogut për njohje reciproke, që kishte nisur në qeverinë paraprake, ka qenë gabimi kapital i Kurtit dhe Osmanit”.

Ai ka listuar disa rekomandime se çfarë duhet bërë në qeverisjen e ardhshme:

Në qeverinë e ardhshme, hapi i parë është kthimi i normalitetit në qeverisje, kthimi i ligjshmërisë në institucione dhe menaxhimi ligjor i buxhetit. Vetëm kjo e ndal kaosin, abuzimet dhe korrupsionin. Auditimi i plotë dhe i thellë i veprimeve ku ka dyshime duhet të jetë i pavarur dhe profesional.

Në politikën e jashtme na duhet aktivitet i fuqishëm lobues për të larguar sanksionet dhe për të filluar dialogun strategjik. Para se gjithash, duhet të tregojmë seriozitet shtetëror në qasjen ndaj partnerëve. Duhet të normalizojmë punën e ambasadave, të emërojmë sa më parë ambasadorët në vendet vakante, duke siguruar se emërohen njerëz profesional dhe me integritet.

Në shëndetësi, duhet të nis menjëherë projekti i zbatimit të sigurimeve shëndetësore. Brenda një viti duhet të mblidhen premiume të mjaftueshme për të nisur një proces gradual dhe të shkallëzuar të pagesës së shërbimeve shëndetësore të qytetarëve përmes sigurimeve shëndetësore derisa të arrihet mbulueshmëria e plotë. Sistemi Informativ Shëndetësor duhet të funksionalizohet për çështje javësh për të vendosur rend në kaosin e gjithë sektorin shëndetësor privat dhe publik, duke integruar të gjithë ata që janë të lidhur me këtë sektor – nga mjeku i përgjithshëm në një shtëpi shëndeti e deri tek kirurgu në QKUK, nga një barnatore në një lokalitet të vogël e deri tek Barnatorja Qendrore, përfshirë këtu kompanitë që merren me tregtinë e barnave. Fondi për modernizim të spitaleve duhet të formohet menjëherë. Struktura e pagave të stafit shëndetësorë dhe mbështetës duhet menjëherë të rishikohet për të siguruar paga konkurrente që parandalojnë migrimin e stafit shëndetësor jashtë vendit dhe largimin e tyre nga institucionet publike tek ato private. 

Duhet të kthehet dialogu me arsimtarët për të zhvilluar reformat gjithëpërfshirëse, përfshirë rishikimin e rrjetit të shkollave, digjitalizimin e planprogrameve, trajnimet e mësimdhënësve, modernizimin e shkollave me pajisje didaktike, ndërlidhjen e shkollave me ekonominë, mbështetjen masive të hulumtimeve në arsimin e lartë, pagesën e stafit arsimor sipas performancës dhe reforma të tjera. Pagat e stafit arsimore në të gjitha nivelet duhet të rriten menjëherë në mënyrë që kuadrot më të mira të qëndrojnë në institucione arsimore. Përzgjedhja e stafit arsimor duhet të standardizohet në nivel vendi përmes kritereve unike dhe trupave në nivel kombëtar që bëjnë përzgjedhjen. Kthimi i garave sportive dhe garave të tjera në shkolla, i klubeve, funksionalizimi i plotë i bibliotekave shkollore dhe shërbime të tjera në nivel të shkollave është imediat për të rritur aktivitetin në kuadër të shkollës dhe të komunitetit. Kalimi në mësimin gjithë ditor duhet të jetë prioritet kombëtar.

Në ekonomi duhet nisur menjëherë dialogun e ndërprerë me biznese. Duhet investuar masivisht në energjetikë dhe infrastrukturë, në atë hekurudhore në veçanti. Duhet të digjitalizohen të gjitha shërbimet administrative karshi bizneseve, në veçanti sistemi i licencave, lejeve dhe tatimeve. Vetëm kjo siguron transparencën dhe eliminon burimet e abuzimeve dhe korrupcionit.

Dialogu social gjithëpërfshirës duhet të nis menjëherë. Sindikatat dhe bizneset duhet të jenë partnerë zhvillimor. Nuk duhet lejuar që paga minimale dhe reformat kryesore të vendosen në mënyrë arbitrare nëpër kabinetet e ministrave pa asnjë konsultim.

Marrëdhëniet me shqiptarët në rajon duhet të normalizohen. Mbledhjet e përbashkëta të qeverive me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të futen menjëherë në agjendë. Duhet të funksionalizohet menjëherë Zyra për Luginën e Preshevës, që është themeluar me vendim të Qeverisë në qeverinë paraprake, e cila zyrë do të koordinojë gjithë mbështetjen financiare, politike dhe institucionale për shqiptarët në Luginë.

Tri segmentet infrastrukturore shtesë që lidhin shqiptarët në rajon duhet të nisin menjëherë dhe përfundojnë brenda mandatit: hekurudha Prishtinë-Durrës, rruga Prizren Tetovë dhe autostrada Gjilan-Dheu i Bardhë.

Komento: