Hoti për rritjen e pensioneve: Nuk e mbulon zhvleftësimin për shkak të inflacionit

17:09 | 07 Tetor 2024
hoti-per-rritjen-e-pensioneve:-nuk-e-mbulon-zhvleftesimin-per-shkak-te-inflacionit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti la reaguar pas rritjes së pensioneve për 20 për qind.

Hoti ka pyetur se pse Qeveria Kurti i rriti pensionet pas katër viteve në pushtet apo kur inflacioni ishte në kulm në fund të vitit 2022 dhe fillim të vitit 2023, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Kjo nuk është rritje reale. Kjo rritje nuk e mbulon as zhvlerësimin real për shkak të inflacionit. Sikur pensionet dhe skemat sociale të indeksoheshin për inflacionin, siç kam propozuar para dy vitesh, sot do të kishim situatë tjetër.”, ka shkruar Hoti.

Sot, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë të përbashkët me Ministrin e Financave, Hekuran Murati njoftuan për rritjen e pensioneve për 20 për qind.

Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës theksohet se nga kjo rritje kanë përfituar 304,016 qytetarë.

Në njoftimin për media, thuhet se nga muaji janar i vitit 2025, pra për më pak se 3 muaj, do të rriten për 20% pensionet e përcaktuara me ligjin për kategoritë e luftës, përkatësisht, familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjeve të tyre.

Komento: