Hoti: Presim që brenda këtij vitit të trajtohen së paku dy lokacione të dyshuara si varreza masive në Serbi

09:33 | 27 Korrik 2024
hoti:-presim-qe-brenda-ketij-vitit-te-trajtohen-se-paku-dy-lokacione-te-dyshuara-si-varreza-masive-ne-serbi


Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti thotë për “Front Online” se janë kryer gërmime në zonën e veriut të Kosovës por pa rezultate.

Hoti thotë se aktualisht gërmimet po kryhen në Podujevë gjersa shton se do të vazhdojnë në afërsi të Koshares

 “Po, aktualisht ekipi është në Podujevë. Para këtij gërmimi, jemi rikthyer në zonën e veriut të Kosoves dhe kemi pas disa ditë gërmime, por fatkeqësisht pa rezultat. Në raport me gërmimet e reja, ne i kemi në plan edhe disa lokacione, pas përfundimit të Podujevës, siç është kufiri me Malin e Zi, në afërsi të Koshares, dhe të tjera”, theksoi ai.

 

Andin Hoti tregon se sa i përket dialogut për çështjen e të pagjeturve, janë në pritje të formimit të Komisionit të përbashkët që duhet të formohet nga Bashkimi Evropian, por ende nuk ka asnjë gjë konkrete.

“Komisioni i përbashkët ende nuk është themeluar, dhe për këtë kam pasur shumë polemika të ashpra në Bruksel me z. Lajçak, të cilët fatkeqsisht nuk po e trajtojnë si prioritet”.

Ai poashtu thotë se nuk kanë marrë ende përgjigje nga Serbia lidhur me kërkesën e Kosovës për informacione dhe arkivat.

“Unë nuk mund ta vlerësoj punën e Qeverisë, ndërkaq në raport me personat e zhdukur, ne funksionojmë në bazë të ligjit, në bazë të informatave që pranojmë, dhe me rëndësi të veçantë në bazë të informatave që pranojmë nga Serbia, si akteri i vetëm i këtyre krimeve.  Në raport me këto, dhe ne vazhdën e kërkesave tona për informacione dhe arkivat, të cilat tashmë janë të njoftura publikisht, nuk kemi pranuar asnjë përgjigje të vetme nga Serbia”, theksoi tutje ai.

Hoti thotë se brenda këtij vitit pret që të trajtohen së paku dy lokacione të dyshuara si varreza masive në Serbi.

“Megjithatë, pas një presioni të vazhdueshëm, po shpresojmë që brenda këtij vitit të trajtohen së paku dy lokacione të dyshuara si varreza masive në Serbi. (Fatkeqsisht emrat e lokacioneve nuk mund t’i them, deri sa të pranohen nga Beogradi)”, 
tha ai për Front Online.

Komento: