Ish-kryemiminsatri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se çdo vendim i Kosovës i ndërmarrë në 30 vitet e fundit ka qenë i drejtë në përpjekjet e veta për të fituar fillimisht lirinë, e mandej shtetin e pavarur dhe fuqizuar sovranitetin shtetëror, rendin dhe ligjin.
Sipas tij, përpjekjet kanë qenë të suksesshme vetëm kur janë koordinuar dhe mbështetur nga miqtë euro-atlantik.
Ai tutje thotë se Qeveria ka dështuar nëse KFOR-i e EULEX-i janë të detyruar të aktivizohen në vend të institucioneve tona.
Postimi i tij:
Kosova ka pasur gjithmonë të drejtë në çdo veprim që ka ndërmarrë në 30 vitet e fundit në përpjekjet e veta për të fituar fillimisht lirinë, e mandej shtetin e pavarur dhe fuqizuar sovranitetin shtetëror, rendin dhe ligjin.
Por përpjekjet tona kanë pasur sukses vetëm kur janë koordinuar dhe mbështetur nga miqtë euro-atlantik.
Ne e kemi shpallur njëherë pavarësinë në fillim të viteve të ‘90-ta. Mandej e kemi shpallur prapë më 2008, për shkak se herën e parë nuk ka pasur mbështetje nga miqtë.
Në veprimet e ndërmarra lidhur me targat e automjeteve në komunat në veri, Kosova ka plotësisht të drejtë. Këtë e kanë konfirmuar edhe miqtë. Por është e qartë se Kosova nuk e ka mbështetjen e miqve për kohën e ndërmarrjes së këtyre veprimeve.
Nëse këto veprime të Qeverisë, që janë të drejta por që nuk e kanë mbështetjen e miqve vetëm sa i përket kohës së ndërmarrjes së tyre, çojnë në situatë kur në vend të institucione të Kosovës aktivizohet KFOR-i e EULEX-i për të ruajtur rendin dhe sigurinë në ato komuna, atëherë është e qartë se kjo politikë e Qeverisë nuk i ka shërbyer interesave të shtetit të Kosovës.