Hoti: Raporti i DASh-it thekson korrupsionin e qeverisë dhe sulmet e tyre ndaj mediave dhe gjyqësorit

14:03 | 23 Prill 2024

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se është i shqetësuar për institucionet e Kosovës pas Raportit të Departamentit të Shtetit.

“Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit është shqetësues për institucionet e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Hoti në Facebook.

“Raporti thekson për, prezencën e korrupsionit serioz qeveritar, probleme me pavarësinë gjyqësorit dhe me kufizime serioze për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve”.

“Kjo ka qenë e pritur pas aferave, sikur ajo e Ambasadorit Berishaj, me rezerva shtetërore, aferat korruptive në KEK dhe tani me ambalazhuesit e ujit. Në vend që të kërkojnë drejtësi, bartësit e instirucioneve dalin në mbrojtje publikisht ndaj personave të dyshuar”.

Sipas Hotit, tashmë është normë e qeverisë që t’i mëshojë Gjykatës Kushtetuese dhe që t’i shantazhojë gazetarët.

“E kanë bërë normë sulmin ndaj Gjykatës Kushtetuese, Kryeprokurorit të shtetit dhe shantazhimin e kërcënimet ndaj gazetarëve dhe mediave”.

“Raporti i DASH është një e vërtetë e hidhur që e kemi përmendur disa herë. Nuk ka pasur asnjë reflektim nga qeveria dhe më e rëndësishmja nga Presidentja e shtetit, e cila ka mandat kushtetues t’i mbrojë institucionet e pavarura”.

“Kjo qeveri ka tendencë për të imponuar një sistem diktatorial, në mënyrë që Kryeministri të kontrolloj gjithçka: qeverinë, gjyqësinë, kuvendin, presidencën dhe mediat”.

Komento: