Avdullah Hoti, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se nëse qeveria do të ulte TVSH-në në produkte ushqimore dhe naftë, si dhe të pezullonte përkohësisht akciza në naftë, atëherë sot do të kishim rreth 300 milionë euro më shumë në qarkullim në ekonomi.
Kështu ka deklaruar Hoti përmes një postim i në Facebook, ku ka shtuar se qeveritarët lëvdohen se rritja e të hyrave të ATK-së ka qenë rekorde, bile është tejkaluar edhe plani për mbledhjen e të hyrave.
Postimi i plotë:
Çmimet e mallrave ushqimore bazike janë rritur deri në 64% (sipas Agjencisë së Statistikave).
Rritja ekonomike është ulur në vetëm 2.14% në tremujorin e tretë të këtij viti.
Të hyrat e ATK-së janë rritur me 21%.
Bazuar në këto tri fakte, është e qartë se rritja e të hyrave të ATK-së ka ardhur nga rritja e çmimeve të mallrave, e jo nga rritja e aktivitetit ekonomik.
Qeveritarët lëvdohen se rritja e të hyrave të ATK-së ka qenë rekorde, bile është tejkaluar edhe plani për mbledhjen e të hyrave.
Nëse Qeveria do të ulte TVSH-në në produkte ushqimore dhe naftë, si dhe të pezullonte përkohësisht akciza në naftë, atëherë sot do të kishim rreth 300 milionë euro më shumë në qarkullim në ekonomi, në llogaritë bankare të qytetarëve dhe bizneseve.