Hoti thotë se marrëveshja për nxitje të investimeve me ShBA-në do të ndikojnë në rritjen ekonomike

09:33 | 08 February 2021

Hoti: Marrëveshja për nxitje të investimeve me ShBA-në do të ndikojnë në rritjen ekonomike.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka zhvilluar një mëngjes pune me bizneset, të cilat i ka njoftuar rreth përfitimeve nga marrëveshja për nxitje të investimeve amerikane të nënshkruar më 31 dhjetor 2020.

Hoti pas takimit mes tjerash tregoi se qarkullimi i bizneseve ka qenë më i madh këtë vit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“E them me kënaqësi se tash në muajin shkurt ne në bazë të vlerësimeve të statistikave edhe zyrtare se qarkullimi i bizneseve është më i madh se në janarin e vitit 2020 kur nuk ka pasur pandemi”.

“Ne jemi munduar që me masat tona për rimëkëmbje ekonomike t’ju qëndrojmë afër të vetëdijshëm që nuk ka qenë plotësisht e mjaftueshme por që në terma relativ si pako e rimëkëmbjes ekonomike që shkon mbi 5% të bruto produktit vendor kur merret edhe kjo pako e këtij viti është më e larta në rajon edhe me kontributin e mërgimtarëve ekonomia e Kosovës veç po e kalon atë krizën si rezultat i pandemisë”.

“Jemi në një situatë të re me këtë marrëveshjen e nxitjes së investimeve e cila ka hyrë në fuqi këto ditë, jam i bindur që kjo është një shkëputje e madhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës”.

Hoti mes tjerash këtë marrëveshje e quajti si të dytën më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë.

“Pas shpalljes së pavarësisë besoj se marrëveshja më e madhe që ka nënshkruar Kosova është ajo e vitit 2015 Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit e cila sjellë financim të vazhdueshëm për sektorin publik kryesisht nga Bashkimi Evropian dhe që na ndihmon edhe neve si institucione edhe bizneset private të përmbushin kushtet e nevojshme për integrim në BE”, tha Hoti.

“Kjo është marrëveshja tjetër më e rëndësishme që tani hap një perspektivë të jashtëzakonshme për financim edhe në sektorin publik edhe në atë privat”, tha Hoti.

Komento: