Hoti thotë se PAN dhe PSD po përdorin dialogun për të mbuluar dështimet

16:30 | 03 Janar 2019

Shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti e ka qartësuar edhe njëherë pozicionin e këtij subjekti politik lidhur me ekipin negociator.

Hoti në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se koalicioni PAN -PSD, thirrjen për unitet në dialog e ka kthyer siç ka thënë ai në akuzë djallëzore kundër opozitës.

Sipas tij, kjo qasje nuk është e sinqertë dhe as e dobishme për shtetin e Kosovës, përkundrazi.

“Të mos i ngatërrojmë gjërat. Ne, si gjithmonë, e përkrahim dialogun me Serbinë gjithnjë duke marrë për bazë Kushtetutën. Por, ne nuk do të pranojmë që formati i ekipit të dialogut ta dëmtojë thelbin e demokracisë dhe kushtetushmërisë në Kosovë. Kosova duhet të ketë qeveri që flet në emër të shumicës së qytetarëve në adresimin e të gjitha çështjeve”.

“Uniteti i cili po pretendohet të arrihet me logjikën “të merremi me Serbinë, jo me njëri tjetrin” është parullë e koalicionit PAN që ka qëllim ta amortizojë veprimtarinë opozitare dhe mbylojë dështimet e veta”.

“Sa herë që ne bëjmë punën tonë opozitare në mbikëqyrje të qeverisë dhe evidentim të dëmeve që po i bëhen shtetit nga kjo qeveri jo legjitime, koalicioni PAN e përdor dialogun me Serbinë për ta zhvendosur vëmendjen nga dështimet e tyre dhe për ta eklipsuar mungesën e efikasitetit qeveritar”, ka shkruar ai.

Komento: