Hoti tregon arsyen pse LDK-ja nuk bëhet pjesë e dialogut

13:56 | 17 January 2019

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka folur edhe njëherë për qëndrimin e partisë së tij rreth dialogut me Sërbinë.

Ai thotë se koalicioni qeverisës ka intensifikuar sulmet ndaj partisë së tij, shkaku që deri tani nuk i kanë ndryshuar qëndrimet ndaj zhvillimeve në vend, përkatësisht dialogut me Serbinë.

Hoti thotë se ky koalicion aktualisht pikë të përbashkët e kanë vetëm sulmin ndaj LDK-së, pasi sipas tij në të gjithë pikat tjera kanë mospajtime.

“Ditëve të fundit janë shtuar sulmet kundër LDK-së dhe kjo është pika e vetme ku koalicioni PAN është unik. Mirëpo ata, tani edhe me PSD nën sjetull, nuk janë unik as në strategjinë qeverisëse, as në raportet me aleatët tanë, e as në dialog me Serbinë”, ka shkruar Hoti, transmeton Gazeta Express.

Sipas tij konsistenca e LDK-së në qëndrime po i pengon PDK-në, AAK-në e NISMA-n.

“Lajmi i keq për këtë pozitë pa legjitimitet është se LDK nuk ka ndryshuar qëndrimet dhe si duket kjo po ju pengon atyre, prandaj kanë intensifikuar përhapjen e të pavërtetave”, ka shtuar Hoti.

Ai ka thënë se LDK-ja është për dialog me Serbinë, por ka potencuar edhe një herë që nuk do të bëhen pjesë e asaj që e ka quajtur një ‘maskaradë’ për ribërje të shtetit të Kosovës.

“Ne jemi këtu dhe sa herë e shohim të nevojshme do ta përsërisim se jemi për dialog, por nuk bëhemi pjesë e kësaj maskarade. Ne nuk dialogojmë për ta ribërë shtetin e Kosovës, por punojmë që ta forcojmë dhe demokratizojmë atë”, ka përfunduar Hoti.

Komento: