Hoti tregon ku shkuan 70 mijë eurot që Haradinaj ia ndau zyrës së tij – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Hoti tregon ku shkuan 70 mijë eurot që Haradinaj ia ndau zyrës së tij

19:46 | 20 Dhjetor 2019

Hoti tregon për çka u harxhuan 70 mijë eurot që Haradinaj ia ndau zyrës së tij.

Dorëlirë është treguar kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, rreth shpenzimeve të buxhetit të shtetit.

Vetëm për nëntë muaj, kabineti qeveritar i udhëhequr nga kreu i AAK-së, ka shpenzuar në tërësi Fondin Rezervë prej 4.8 milionë eurosh, raporton KTV.

Por, të martën, me vendim të Qeverisë janë ndarë më shumë se 800 mijë euro.

390 mijë për shoqatat e dala nga lufta, 350 janë bartur në Zyrën e Kryeministrit, e për të cilat ekzekutivi s’ka dhënë detaje.

Ndërkaq, 70 mijë euro iu ndanë Zyrës së Koordinatorit Nacional për Rini e Kulturë, ndonëse kërkesa ishte 146 mijë euro.

E këto para, Rexhep Hoti thotë se janë shfrytëzuar për gara të diturisë – konkretisht për t’i shpërblyer nxënësit.

Ishte raportuar se faturat e drekave të Rexhep Hotit i kanë kushtuar buxhetit të shtetit rreth 1.400 euro në muaj. E për 16 muaj ka shpenzuar më shumë se 22 mijë euro.

Ndërkaq, që prej se është shpikur posti i Koordinatorit për Kulturë, Rini dhe Sport më shumë se 500 mijë euro i janë ndarë nga ekzekutivi kosovar.

Hoti është munduar të arsyetojë dështimin e Kosovës në programin ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve “PISA 2018”, ngase siç ka thënë, testi është zhvilluar para emërimit të tij në këtë pozitë.

Hoti është emëruar Koordinator për Rini në maj të vitit të kaluar.

Komento: