Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier ka thënë Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një zotim i bërë në marrëveshjen e Brukselit, që duhet të zbatohet.
Ai ka thënë se Asociacioni duhet të realizohet në atë mënyrë që respekton Kushtetën e Kosovës. Ai ka deklaruar se qeveria e Kosovës po nxitet që të përqendrohet më shumë.
“Kjo është ndër fushat në të cilat e kemi nxitur qeverinë e Kosovës që të përqendrohet më shumë ose ndoshta ta them në mënyrë tjetër: është ndër ato zotimet e bëra që ne besojmë se duhet të zbatohet. Dëshiroj të ndalem pak te Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Është zotim i bërë në marrëveshjen e Brukselit, madje edhe më i hershëm se kjo, por u bë zotim me marrëveshjen e Brukselit. Ne besojmë se ky zotim duhet të zbatohet”, ka deklaruar ambasadori Hovenier në ATV.
Sipas Hovenier, SHBA nuk është e interesuar për një asociacion që do ta cenonte kushtetitën e Kosovës.
“Por, ne kemi qenë shumë të qartë se janë disa dispozita në bazë të të cilave duhet të zbatohet. Më e rëndësishmja, e mendoj se këtë e ka thënë publikisht kolegu im, zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit, Eskobar, siç e kam thënë edhe unë dhe ky nuk është ndryshim në politika, por Asociacioni duhet të bëhet në mënyrë të tillë që respekton Kushtetutën e Kosovës; duhet të bëhet në atë mënyrë që nuk ndikon negativisht në rendin kushtetues të funksionimit të qeverisë dhe ne besojmë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese mundëson kornizë të duhur si të ecet përpara me zbatimin e këtij zotimi”, ka thënë ai.
Hovenier ka shprehur besimin e tij që ka mënyra të ndryshme për ta realizuar asociacionin, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ka shumë mënyra për krijimin e këtij entiteti, për të parë realizimin e këtij zotimi, që janë plotësisht në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Këtë e duam dhe këtë e kemi inkurajuar. As në Shtetet e Bashkuara, e as te partnerët tanë të Evropës Perëndimore nuk ka fare interesim që të shohim diçka si një Republikë tjetër Serbe apo diçka që do të çrregullonte rendin kushtetues apo të ndikonte në funksionimin e mirë të qeverisë së Kosovës”, ka shkruar ai.