Hovenier: Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë, jemi të përkushtuar për partneritet

14:38 | 27 December 2024
hovenier:-duam-ta-shohim-kosoven-te-kete-sukses-dhe-te-perparoje,-jemi-te-perkushtuar-per-partneritet

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka përfunduar sot zyrtarisht mandatin e tij trevjeçar, duke mbajtur takimin e fundit lamtumirës me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Gjatë deklarimit të tij për media, Hovenier theksoi se misionin e tij e ka përmbyllur me të njëjtin akt që e nisi, duke vendosur një kurorë lulesh te statuja e ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke nderuar figurën dhe vlerat për të cilat ai qëndronte.

Ai po ashtu përsëriti përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës dhe shprehu bindjen e tij për potencialin dhe të ardhmen e ndritur të vendit.

“Dua të falënderoj popullin e Kosovës. Ka qenë detyra e ëndrrave të mia të shërbej si Ambasador i SHBA këtu për këto tre vite dhe të kem këtë mundësi të punoj së bashku me popullin e Kosovës për të ndihmuar avancimin e vendit. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit tonë.

Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë. Kur mendoj se si ishte ky vend kur fillova të punoja për të në fund të viteve ’90, kur mendoj se si ishte në kohën e pavarësisë dhe kur mendoj se si është tani, nuk ka asnjë dyshim për përparimin dhe për kapacitetin e njerëzve të Kosovës, për qëndrueshmërinë e tyre për të realizuar vizionin e tyre për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, shumetnik, të begatë dhe të suksesshëm.

Ka qenë kënaqësia dhe nderi im të luaj një rol të vogël në mbështetjen e këtij procesi. Së bashku me popullin amerikan, ju uroj të gjithëve çdo sukses. Do të largohem si një mik edhe më i fortë i Kosovës sesa isha kur mbërrita”, ka potencuar Hovenier para mediave.

Komento: