
Ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka vlerësuar përparimin e Kosovës në 18 vjetët e shtetësisë, duke theksuar se qytetarët e saj “e meritojnë të përgëzohen dhe vlerësohen për përparimin e jashtëzakonshëm që kanë bërë në themelimin dhe konsolidimin e shtetit të tyre sovran e të pavarur”.
Në një deklaratë për Radio Evropa e Lirë, Hovenier ka thënë se “Kosova nuk është më një shtet në tranzicion; përkundrazi, është një shtet i pavarur dhe i suksesshëm demokratik”.
Megjithatë, ai ka theksuar se, në një kontekst gjeopolitik që ndryshon shpejt, Kosova përballet me pritje të qarta dhe duhet t’i planifikojë me kujdes hapat e saj të ardhshëm.
Sipas tij, prioritetet e Kosovës në vitet në vijim mund të ndahen në tri kategori, duke nisur me integrimin në strukturat evropiane dhe euroatlantike.
Hovenier ka vlerësuar se është shënuar progres real, por ka theksuar se mbetet ende punë për t’u bërë.
“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe progresi në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s varen nga partnerët kryesorë, të cilët duhet të shohin përpjekje të besueshme dhe të përgjegjshme”, ka thënë ai.
Në këtë kuadër, ai ka nënvizuar rëndësinë e përmbushjes së obligimeve që Kosova ka marrë në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Si prioritet të dytë, ish-ambasadori amerikan ka përmendur rritjen ekonomike dhe zhvillimin, duke e lidhur stabilitetin afatgjatë të vendit me aftësinë për të ndërtuar një ekonomi që gjeneron mirëqenie dhe mundësi reale për qytetarët.
Ai ka pranuar se është arritur progres i dukshëm, por ka theksuar se kjo nuk mjafton.
Sipas Hovenierit, Kosova duhet të bëjë më shumë për tërheqjen e investimeve të huaja dhe për krijimin e kushteve që sektori privat të konkurrojë me sukses në tregun global.
“Një fokus i shtuar në rritjen dhe zhvillimin ekonomik rajonal, si dhe politika qeveritare që u përgjigjen kërkesave legjitime të komunitetit të biznesit, do të kontribuonin në këtë progres të nevojshëm”, është shprehur ai.
Prioriteti i tretë, sipas tij, është konsolidimi i institucioneve demokratike dhe qeverisja efektive.
Hovenier ka vënë në dukje se Kosova “nuk ka përfituar nga periudha gati njëvjeçare e qeverisjes së përkohshme”, duke shtuar se gjatë kësaj kohe “kanë humbur disa mundësi”.
Ai ka theksuar se forcimi i institucioneve dhe stabiliteti politik mbeten elemente kyçe për avancimin e agjendës integruese dhe zhvillimore të vendit.