
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, duke folur në një intervistë për ATV-në ka theksuar rëndësinë e luftës kundër dezinformimit dhe luftës hibride që po përjeton Ballkani Perëndimor, duke nënvizuar se ky rajon ka qenë historikisht më shumë burim jostabiliteti se sa stabiliteti për Evropën.
Hovenier u shpreh se: “Nëse je evropian, qoftë evropian nga Ballkani apo evropian nga pjesë të tjera të Evropës, duhet të pranosh se në një apo dy brezat e fundit, Ballkani ka qenë më shumë burim jostabiliteti sesa stabiliteti për Evropën. Duam ta ndryshojmë këtë. Duam të shohim këtë rajon – dhe kemi parë përparim të madh – por, duam ta shohim këtë rajon të qëndrueshëm, të sigurt, të begatshëm”.
Ambasadori i SHBA-së e vuri theksin te roli i të rinjve të Kosovës në formësimin e një të ardhmeje të qëndrueshme dhe pozitive për vendin.
“Dua të shoh të rinjtë e Kosovës me të cilët flas gjatë gjithë kohës duke pasur besim tek e ardhmja e tyre këtu”, shtoi ai.
Hovenier shprehet se dezinformimi dhe tentativat për të përdorur hapësirën e informacionit për të ndarë dhe përçarë shoqërinë janë pengesa të mëdha për përparimin e rajonit.
Ai bëri thirrje për një angazhim të përbashkët në luftën kundër këtyre përpjekjeve, që përpiqen të ndërlikojnë procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO.
“Ka përpjekje aktive për të shfrytëzuar hapësirën e informacionit për të shtyrë përpara narrativat ose për të përçarë njerëzit, apo për të ndërlikuar pikërisht këtë proces që shpresojmë ta shohim”, theksoi ambasadori.
Ambasadori Hovenier theksoi gjithashtu se është e rëndësishme që përpjekjet për të luftuar dezinformimin dhe përçarjen të jenë një përpjekje e përbashkët, që do të mundësojë një të ardhme më të sigurt dhe më të qëndrueshme për Kosovën dhe rajonin.
“Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që të punojmë shumë së bashku për të luftuar këtë dezinformim dhe këto përpjekje për të përçarë dhe ndarë njerëzit, në vend që të bashkoheni për interesa dhe të mirën e përbashkët”, përfundoi ambasadori.