Hovenier: NATO kishte një imperativ moral për të vepruar, përdorimi i forcës ishte i domosdoshëm dhe legjitim

12:33 | 27 Mars 2024
hovenier:-nato-kishte-nje-imperativ-moral-per-te-vepruar,-perdorimi-i-forces-ishte-i-domosdoshem-dhe-legjitim

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka ripërsëritur sot se NATO, kishte një obligim moral për të nderhyrë në Kosovë, për të shpëtuar njerëz të pafajshëm nga ofensiva ushtarake serbe në rritje.

Ndaj Hovenier u shpreh se përdorimi i forcës nga NATO, ishte i domosdoshëm dhe legjitim.

”Na vjen keq shumë për humbjen e jetëve të civilëve të pafajshëm, përfshirë ata që vdiqën gjatë operacionit të NATO-s. Pasi shteruan të gjitha alternativat për të ndaluar gjakderdhjen, NATO kishte një imperativ moral për të vepruar – dhe ne e bëmë. Dhe përdorimi i forcës në këtë rast ishte i domosdoshëm dhe legjitim, duke pasur parasysh krizën humanitare që bota po shihte të shpalosej në kohë reale”.

Ai madje përmendi edhe disa deklarata të presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Bill Clinton, rreth vendimit për të bombarduar Serbinë.

”Siç shpjegoi më tej Presidenti Clinton në atë kohë: “Ne veprojmë për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga një ofensivë ushtarake në rritje. Ne veprojmë për të parandaluar një luftë më të gjerë… ne veprojmë për të qëndruar të bashkuar me aleatët tanë për paqe.”

Dhe:

”Siç tha Presidenti Bill Clinton më 23 mars 1999, një ditë përpara se NATO të niste Operacionin Forcat Aleate, ‘‘Nëse presidenti Millosheviq nuk është i gatshëm të bëjë paqe, ne jemi të gatshëm të kufizojmë aftësinë e tij për të bërë luftë me kosovarët” ”.

Këto deklarata ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier i tha në konferencën e 25 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s, event ky i organizuar nga Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Arkansasit.

Komento: