Propozimin e përfolur “franko-gjerman” si kornizë të re të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk e ka aprovuar si zgjidhje përfundimtare por as përjashtuar si hap më tej drejt një zgjidhjeje përfundimtare, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, në një intervistë dhënë për ATV.
Për këtë propozim të supozuar “franko-gjerman”, i cili duket se nuk përmban në vete njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë – kërkesë kjo e kahershme amerikane – Hovenier tha se qëndrimi i administratës së Joe Biden ka qenë i qartë se si e shohin përfundimin e dialogut – në njohje të ndërsjellë.
“Ne kërkojmë marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Kjo ka qenë në komunikim nga kjo administratë gjatë gjithë kohës. Ky mbetet përfundimi ynë i dëshiruar. Dhe, jemi të përkushtuar ndaj saj”, është shprehur Hovenier.
Megjithatë, siç tha ambasadori “[duke qenë se] nuk është e sigurt se si do të arrihet kjo, në çfarë afati kohor dhe çfarë renditje […] do të përkrahnim dhe do të mirëprisnim dhe do të përpiqeshim të çojmë përpara çdo gjë që do të ishte hap përpara në dialog, që do të ndihmonte Kosovën për të realizuar ambiciet e saj për tu bërë pjesë e familjes së institucioneve evropiane dhe euro-atlantike”.
Por, ambasadori ishte decidiv në një gjë, të cilën tha “nuk duhet gabuar”. “Në fund të procesit […] është njohja e ndërsjellë”, si e vetmja zgjidhje për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shkruan gazeta online Reporteri.net. Krejt kjo për shkak se vetë “BE-ja nuk është e gatshme të pranojë vende që nuk e njohin njëra-tjetrën”.
Përgjigja e plotë e ambasadorit Hovenier pa ndërhyrje: “Së pari do të them se e kam të vështirë të flas për propozime specifike apo të supozuara që janë në publik, por do ti them dy gjëra. E para është se administrata e Biden-it ka qenë mjaft e qartë rreth mënyrës se si e shohim përfundimin e këtij procesi. Ne kërkojmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Kjo ka qenë në komunikim nga kjo administratë gjatë gjithë kohës. Ky mbetet përfundimi ynë i dëshiruar. Dhe jemi të përkushtuar ndaj saj. Do ta them, megjithatë, se nuk është e sigurt se si do të arrihet kjo, në çfarë afati kohor, çfarë renditje. Pra, ne do të përkrahnim dhe do të mirëprisnim dhe do të përpiqeshim të çojmë përpara çdo gjë që do të ishte hap përpara në dialog, që do të ndihmonte Kosovën për të realizuar ambiciet e saj për tu bërë pjesë e familjes së institucioneve evropiane dhe euro-atlantike. Por, mos u gaboni, në fund të procesit, siç e ka thënë edhe kolegu im, ambasadori gjerman, Jorn Rohde, statusi i fundit i vetëm i kësaj është njohja e ndërsjellë sepse rezultati i fundit është që të dy vendet anëtarësohen në Bashkimin Evropian dhe BE-ja nuk është e gatshme të pranojë vende që nuk e njohin njëra-tjetrën” .