Hovenier thotë se SHBA-ja nuk lejon një Asociacion si Republika Sërpska

19:06 | 20 Shtator 2023
hovenier-thote-se-shba-ja-nuk-lejon-nje-asociacion-si-republika-serpska

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij se lejon një Asociacion si Republika Sërpska.

Kështu ka thënë Hovenier në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

“Besoj se duhet të ketë një lloj besimi në SHBA-në dhe në zotimet që ne kemi bërë se ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë. Ne jemi pajtuar që të mos ndodhë ashtu dhe jemi serioz për këtë”.

Pjesë nga intervista:

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë garancitë se Asociacioni në një pikë nuk do të përfundojë sikurse një Republika Sërpska?

Jeffrey Hovenier: Besoj se duhet të ketë një lloj besimi në SHBA-në dhe në zotimet që ne kemi bërë se ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë. Ne jemi pajtuar që të mos ndodhë ashtu dhe jemi serioz për këtë.

Radio Evropa e Lirë: Po ashtu, dua të di mendimin tuaj nëse po shtyhet përpara themelimi i Asociacionit që komuniteti serb në Kosovë të fitojë më shumë të drejta apo është një lëvizje më e madhe nga Perëndimi që të sigurohet se Serbia është e kënaqur dhe të tentohet të krijohet një distancë më e madhe mes Serbisë dhe Rusisë?

Jeffrey Hovenier: Unë mund të flas për motivimet e mia. Kam shpenzuar shumë vite të jetës sime duke punuar në pjesë të ndryshme të kësaj enigme, Kosovës. Kam shërbyer me Martti Ahtisaarin, në kohën kur po zhvillohej Plani i Ahtisarit, kam punuar me William Walkerin kur kam qenë pjesë e misionit tonë të OSBE-së, kam punuar në Kosovë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në kohën kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mori vendimin.

Ajo çfarë më motivon mua është që të sigurohemi që kjo Qeveri është e përgjegjshme për këtë çështje shumë të ndjeshme, pra për komunitetin etnik serb në Kosovë që ai të mund të jetë në gjendje të ushtrojë të drejta në përputhje me ligjet e Kosovës, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Është e rëndësishme që atyre t’u jepet një hapësirë që ta bëjnë këtë. Kjo e motivon SHBA-në.

Komento: