Drilon Gashi, imam nga Peja, ka deklaruar përsëri se besimtarëve islamë iu lejohet falja edhe në gjuhën shqipe. Ai e ka përsëritur deklaratën e tij, pas reagimeve ndaj tij nga hoxhë tjerë.
“Unë nuk kam thënë që ‘duhet të falemi shqip’ por kam thënë që ‘lejohet të falemi shqip’, dhe për këtë kam përmendur një delikt të njohur nga shkolla juridike ‘hanefite’”, ka shkruar Gashi të dielën, në llogarinë e tij, në rrjetin social Facebook, në internet.
Imami pejan ka këmbëngulur se falja në shqip nuk është e ndaluar.
“Unë vazhdoj të insistoj që nuk ekziston argument decidiv sheriatik që e ndalon një gjë të tillë, sidomos për ata që nuk e njohin arabishten dhe nuk dinë ta shqiptojnë kuranin në origjinal”, është shprehur ai.
“Sipas Ebu Hanifes, jo vetëm namazin, por edhe ezanin lejohet që ta thërrasim në gjuhën shqipe, nëse ata që e dëgjojnë, e kuptojnë që është ezan për namaz. Nëse paskam manipuluar unë me fe e kuran, paska manipuluar edhe Ebu Hanifja!”, ka thënë ai, ndër të tjera.
Gashi ka deklaruar se arabishtja nuk është gjuha e islamit.
“Gabim e kanë edhe ata që thonë se në momentin që Kurani përkthehet në një gjuhë tjetër, nuk quhet më kuran, por komentim i kuranit, sepse Zoti paska folur në gjuhën arabe”, ka shkruar ai.
“Fillimisht, arabishtja nuk është gjuhë e islamit, sepse në islam kanë qenë gjithë profetët e Zotit”, ka thënë Gashi.