Hoxha: Përfaqësimi i të ftuarëve të Gjykatës Speciale mbulohet nga taksapaguesit

11:15 | 24 Janar 2019

Ish-shefi i Policisë Ushtarake në Zonën Operative të Llapit, Nazif Mehmeti është intervistuar dje për herë të fundit nga prokurorët e Gjykatës Speciale në Prishtinë. Mehmeti është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, ka bërë të ditur avokati i tij ndërkaq Rreze Hoxha, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, për “Zërin” ka thënë se pret që Zyra e Prokurorit të Specializuar shumë shpejt të dërgojë edhe ftesa të tjera për intervistim për ish-pjesëtarë të UÇK-së, të cilat duhet të bëhen publike.

“Me rastin e dërgimit të ftesave të para nga Gjykata Speciale dhe me intervistimet e para të zhvilluara deri më tani, tashmë është funksionalizuar Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila paralajmëron se do të dërgojë ftesa të tjera. Lidhur me përmbajtjen e intervistave të zhvilluara është e kuptueshme që ato të mbeten jopublike në këtë fazë të procedurës. Kjo ndikon në zhvillimin e një procedure të drejtë dhe ligjore”, ka thënë ajo.

Hoxha vlerëson se është qenësore të dihet cilësia në të cilën ftohen personat nga Zyra e Prokurorit.

“Sa i përket cilësisë në të cilën janë ftuar ata, ajo duhet të bëhet publike për arsye se përfaqësimi i tyre mbulohet nga paratë e taksapaguesve kosovarë. Në këtë mënyrë do të rritej transparenca dhe llogaridhënia e shpenzimit të parasë publike”, ka thënë ajo.

Sa i përket intervistimit, Hoxha thekson që të intervistuarit e Speciales duhet ta qartësojnë nëse janë ftuar për më shume se një rast dhe në më shumë se një cilësi, me qëllim që të mos krijohet paqartësi te qytetarët e Kosovës.

Komento: