Hoxhaj: Aktakuza ndaj Thaçit e Veselit, tronditja më rëndë e jetës sime

23:59 | 28 January 2021

Hoxhaj e konsideron si tronditjen më të rëndë të jetës së tij, aktakuzën që Specialja ngriti ndaj Thaçit e Veselit.

Kandidati për kryeministër nga PDkK, Enver Hoxhaj, ka treguar se me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin njihen që nga viti 1987, kur ishin studentë në Universitetit të Prishtinës.

Hoxhaj, ka thënë se përpos rrugëtimit politik bashkë me Thaçin dhe Veselin, ata I njeh që nga studimet në UP.

Ai tha se bashkë me Hashim Thaçin ishin në drejtimin e historisë, në gjeneratën e njëjtë dhe që nga viti 1987 janë shokë të ngushtë, pasi tregoi se edhe kanë jetuar bashkë sa ishin studentë.

“Të dytë i njoh prej vitit 1987, por me Thaçin kemi qenë një gjeneratë në UP, në drejtimin e historisë të dytë. Kemi qenë shokë të ngushtë. Kemi banuar bashkë atëherë si studentë”, ka thënë Hoxhaj.

Ai, tutje tregoi se kur në vitin 1994 u largua për studime në Austri, tha se familja e parë që e priti atje ishte familja e Hashim Thaçit.

“Në vitin 1994 kur kam lëvizë drejt studimeve në Austri, më ka prit familja e Thaçit atje, pastaj pas një muaji ka ardhë edhe Thaçi, ka lëvize për studime në Cyrih. Prej asaj kohe e njoh edhe Veselin, të dy i kam pas miq shumë të ngushtë dhe të mirë, dhe bashkëudhëtimi me ta ka qenë i natyrshëm për një kohë të gjatë.”, ka thënë Hoxhaj.

Tutje, ai tha se njohja dhe besimi mes tyre nuk janë vetëm të natyrës politike, por raporte të lojalitetit, besnikërisë, prej vitit 1987 e deri tani.

Lajmi për aktakuzën e ngritur ndaj Thaçit dhe Veselit, Hoxhaj e cilësoi se tronditje më e rëndë e jetës së tij.

“Kur e pashë lajmin e aktakuzës, ka qenë një prej tronditjeve më të rënda të jetës që kam pas…”, ka thënë Hoxhaj.

Komento: