
Hoxhaj ia ka përkujtuar Kurtit se ai është kryeministri i vetëm pa asnjë kontratë për vaksina
Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj i ka reaguar ashpër kryeministrit Kurti në lidhje me deklaratat për marrëveshjen mes Hashim Thaçit(sa ky ishte kryeministër) dhe NATO-s për prezencën e FSK-së në veri, të cilën kryeministri tha se e ka çuar në prokurori.
Hoxhaj në një reagim kushtuar Kurtit në Facebook, ka thënë se ai s’mund të mbijetojë politikisht pa Hashim Thaçin.
Sipas Hoxhajt, Kurti “tërë karrierën e tij politike e ka orientuar në përbaltjen e figurës së tij dhe kurrë nuk ia ka arritur”.
Kryetari i PDK-së tutje thotë se zotimet e Thaçit ndaj NATO-s kanë qenë dhe janë legjitime dhe të njëjtat po zbatohen edhe nga kjo qeveri.
“Përndryshe, ky kryeministër do të duhej ta dëshmonte të kundërtën duke ndërmarrë hapa konkret për anulimin e saj. Më shumë sesa për presidentin Thaçi dhe zotimet në esencë, kjo qasje e tregon për inferioritetin e tij patriotik e politik dhe mungesën e vizionit qeverisës”, ka shkruar tutje Hoxhaj.
Për ta përmbyllur reagimin, Hoxhaj ia ka përkujtuar Kurtit se ai është kryeministri i vetëm pa asnjë kontratë për vaksina.