Hoxhaj: Kosova ka dal nga binarët në politikë të jashtme nga Kurti dhe Osmani

16:08 | 20 November 2024
hoxhaj:-kosova-ka-dal-nga-binaret-ne-politike-te-jashtme-nga-kurti-dhe-osmani

Deputeti i PDK-së, njëherësh ish-ministër i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se për shkak të politikave jo të mira të presidentes Osmani dhe të kryeministrit Kurti, Kosova ka dalë nga binarët e saj në politikën e jashtme dhe në dialogun me Serbinë. Sipas tij, Qeveria ka hequr dorë nga marrëveshja përfundimtare me njohje reciproke.

‘’Çfarëdo që thotë presidentja Osmani përtej respektit për pozitën që mbanë dhe kryeministri Kurti, këta të dy më i takojnë historisë. Në Kosovë do të ketë zgjedhje me 9 shkurt dhe duhet të ketë një shumicë të re parlamentare, duhet të ndodh ndryshimi politik. Ndryshimi politik do të jetë fitorja e PDK-së dhe partive që e udhëheqin Qeverinë në të ardhmen. Natyrisht që për tema dhe për çështje të dialogut Kosovë-Serbi unë sa kam qenë në pozitën e ministrit të jashtëm e them edhe sot që është e nevojshme që të ketë konsensus politik. Mund të merremi vesh se si t’i qasemi dialogut. Por, nuk i marrë shumë seriozisht deklaratat që mund t’i bëjë sot presidentja, kryeministri meqë afati i tyre ka skaduar dhe më 9 shkurt do të ketë një Qeveri të re e cila do të udhëheq këtë vend. Do ta rikthen Kosovën në binarë dhe do të sheh se si çështjen e njohjen së ndërsjellë të marrëveshjes obligative ligjore, të përmbylljes së shtet ndërtimit të Kosovës ta kenë vëmendjen kryesore pas 9 shkurtit të vitit 2025”, tha Hoxhaj.Ish-ministri Hoxhaj, tha se Qeveria nuk mund t’i shmanget obligimeve të marrëveshjes që është arritur në Bruksel dhe aneksit të saj në Ohër.

‘’Ajo që duhet të kemi në konsideratë është që kryeministri Kurti i ka thënë po marrëveshjes së Brukselit, i ka thënë po aneksit të Ohrit dhe i ka thënë gjithashtu po propozimit Evropian për ta formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Prandaj edhe cdo deklaratë që bëhët, coftë nga ambasadori Amerikan në Beograd, coftë nga përfaqësuesit e BE-së në Bruksel apo kudo tjetër në perëndim, duhet ta din qytetarët e Kosovës dhe opinion publik se këto janë obligime të cilat i ka marrë zoti Kurti dhe të mos krijohet përshtypja se neve po na u bëhet diçka e padrejtë, kur ka qenë kryeministri Kurti ai i cili me draft-statutin e Asociacionit që është një autonomi territoriale dhe pothuajse një rregullim konferedativ i Kosovës. Ia ka bërë një dëme kolosale Kosovës me marrëveshje të Brukselit që e largon njohjen e ndërsjellë dhe marrëveshjen obligative ligjore e ka bërë dëmin e dytë të madh kolosal Kosovës, prandaj edhe kur merr obligime të tjerët kërkojnë që këto obligime duhet të zbatohen’’, tha Hoxhaj.Duke komentuar refuzimin e kryeministrit Kurti që ta themelojë Asociacionin mbi propozimin Evropian të draft-statutit të Asociacionit, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se Kurti i ka thënë po propozimit Evropian në nëntor të vitit 2023.

“Në atë moment që kryeministri Kurti i ka thënë po marrëveshjes së Brukselit i ka thënë po aneksit të Ohrit në marsin e 2023, i ka thënë po në nëntorin e 2023 draft-statutit të Asociacionit që është propozim i BE-së dhe të gjitha këto janë të vendosura në raportin e progresit dhe në mekanizmin e Kosovës për tu anëtarësuar në BE, janë obligime të pashmangshme. Por, ajo se çfarë ne do të duhet të shohim është se si Qeveria e ardhshme ta ndërtojmë një metodë dhe metodologji që njohja e ndërsjellë e Kosovës të jetë në fokus të dialogut dhe që kërkesa e partnerëve tanë ndërkombëtar për ta themeluar asociacionin të shkon paralelisht me përmbushjen e kërkesës së Kosovës për ta njohtë Kosovën si shtet sovran dhe i pavarur. Me fjalë të tjera, për ne si opozitë dhe si PDK nuk ka Asociacion pa e njohtë Serbia Republikën e Kosovës dhe pa vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën”, tha Hoxhaj për rtv21.

Komento: