Hoxhaj: Politika e jashtme e Kosovës e dështuar, Qeveria s’po mban kontakte me shtetet që na kanë njohur

21:15 | 17 Janar 2023

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar për tërheqjen e njohjes nga Togo, një gjë të cilën ai vet kishte punuar që ta arrinte sa ishte në pozitën e ministrit të jashtëm.

Hoxhaj këtë veprim të Togos e konsideron skandal të madh të politikës së jashtme të Kosovës, që për të, është e dështuar.

“Kur një shtet në rrafshin bilateral e tërheq njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit, sikurse Togo dje, duke marr vendim politik, përcjellë qëndrim me shkrim përmes notës verbale dhe lëshon komunikatë publike në Beograd, është goditje në zemër pozitës ndërkombëtare të shtetit tonë dhe një skandal i madh i politikës të jashtme të dështuar të Kosovës.”

Ai tha se tërheqja e njohjeve Kosovës po i ndodh shkaku i fushatës së Serbisë kundër saj. Hoxhaj akuzoi edhe Qeverinë se nuk po mban kontakte me shtetet që e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Tërheqja e disa njohjeve ka ndodhë dhe mjerisht do të ndodhë, sepse Serbia po i bënë fushatë të egër Kosovës kudo, ndërsa askush nga Qeveria Kurti as nuk i viziton shtetet që kanë njohur pavarësinë, as nuk mbajnë komunikim të rregullt diplomatik me këto vende, as nuk i thërret në telefon askush, as nuk e dijnë se ku gjenden në hartë, çfarë flamuj kanë ose si quhen kryeqytetet e tyre! Nuk kanë as strategji, as plane në këtë luftë diplomatike kundër Serbisë, por dorëzim dhe nënshtrim të plotë ndaj saj!”, ka shkruar tutje Hoxhaj.

Komento: