Hoxhaj: Pozicioni i vetëm zyrtar i Kosovës për dialogun është platforma – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Hoxhaj: Pozicioni i vetëm zyrtar i Kosovës për dialogun është platforma

17:02 | 23 Shkurt 2019

Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se platforma e prezantuar para një jave është pozicioni i vetëm zyrtar i Kosovës në dialogun me Serbinë.

Në një intervistë dhënë gazetës MAPO në Shqipëri, Hoxhaj tha se është e rëndësishme që Kosova ta ketë një pozicion të vetëm në dialogun me Serbinë dhe që marrëveshja finale me Serbinë është e pranueshme për Kosovën vetëm me njohje të ndërsjellë dhe anëtarësim në OKB.

“Qëndrimi ynë si Qeveri e Kosovës por edhe si delegacion shtetëror i Kosovës i mandatuar nga Kuvendi për të negociuar me Serbinë, bashkë me presidentin Thaçi, është që duhet ta kemi një pozicion të përbashkët. Kosova nuk mund të ketë disa pozicione për sa i takon dialogut me Serbinë. Platformën që e kemi hartuar para një jave, e cila do të duhej të miratohet në kuvendin e Kosovës javën e ardhshme, që do të duhet të siguronte mbështetje të domosdoshme nga deputetët e Kosovës, parasheh që ne duhet të arrijmë njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, anëtarësim të Kosovës në OKB, që kushtetuta e Kosovës që buron prej ‘Paktit Ahtisari’, nuk është diçka që duhet hapur”, ka thënë zëvendëskryeministri Hoxhaj.

Hoxhaj tha se Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa e njohur Kosovën.

“BE është ndërmjetës në një proces të tillë dhe BE është një platformë e mirë për të normalizuar raportet Kosovë-Serbi, meqë Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa e njohur Kosovën. Anëtarësimi i Serbisë në BE politikisht kalon sa përmes Brukselit dhe kryeqyteteve europiane, po aq dhe mes Prishtinës. Në pikëpamjen tonë duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi që realisht të arrijmë një marrëveshje historike me Serbinë”, deklaroi Hoxhaj.

Komento: