Me 6 tetor vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Zëvendëskryetari i PDK-së Enver Hoxhaj në konventën për nominimin e Kadri Veselit si kandidat të PDK-së për kryeministër ka thënë se PDK do t’i fitojë këto zgjedhje fuqishëm dhe Kadri Veseli do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës.
“PDK është partia më e madhe në vend. Jemi partia më e madhe shqiptare dhe qytetare në Ballkan, por PDK është mbi të gjitha parti e shpresës, e zhvillimit, dhe nëse ka një njeri që i beson Kosova është Kadri Veseli dhe Kadri Veseli i beson Kosovës”, ka thënë Hoxhaj në fjalimin e tij.
“Jam krenar që e njoh Kadri Veselin që 30 vite si njeri, politikan dhe patriot. Nëse e njoh gjatë e di edhe se kujt i beson. Mbi të gjitha i beson rinisë së Kosovës, qytetarit të Kosovës. Rinia janë brenga dhe motivi pse Veseli është në politikë”, tha tutje zëvendëskryetari i PDK-së.
Hoxhaj tha se Kadri Veseli e ka guximin për vendime të mëdha, dijen për vendime të drejta, dhe e ka forcën dhe fuqinë për ta ndryshuar Kosovën sikurse e ka ndryshuar PDK-në.
“PDK jemi qendra e politikës në Kosovë. Të tjerët garojnë por ne i fitojmë zgjedhjet fuqishëm. Edhe këtë herë do të fitojmë fort. Të tjerët mund të bëjnë koalicione parazgjedhore por ne do t’i fitojmë zgjedhjet dhe Kadri Veseli pa dyshim do të jetë kryeministër i Kosovës”, ka përfunduar Hoxhaj.