Enver Hoxhaj ka reaguar pas deklaratës së presidentit të Serbisë për rastin e Oliver Ivanoviçit.
Hetimi për rastin e Oliver Ivanovicit është nën proces e sipër, por presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kurrsesi nuk po mund të ndalet së penguari drejtësinë. Ndaj deklaratave destruktive për hetimin, të bëra nga Vuçiq, ka reaguar zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj
Nëpërmjet një postimi në Twitter, Hoxhaj thotë se përpjekjet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq për ta penguar drejtësinë në zbardhjen e rastit së politikanit nga Kosova, Oliver Ivanovic, po vazhdojnë.
Sipas zëvendëskryeministrit Hoxhaj, minimi i procesit në vazhdimësi përmes akuzave të pamatura ka për qëllim mbrojtjen e përgjegjësve për këtë krim, të cilët po fshihen në Beograd.
“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq vazhdon përpjekjet e tij për ta penguar drejtësinë dhe për të ndërhyrë në hetimet për rastin e Oliver Ivanovicit. Minimi i një procesi i cili është në zhvillim e sipër, përmes akuzave të pamatura tenton t’i mbrojë përgjegjësit për këtë krim, të cilët janë duke u fshehur në Beograd”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.
Ndaj deklaratave të Vuçiq ku përmend emra konkret si gjoja fajtorë për rastin, ka reaguar edhe vëllai i Oliver Ivanovicit, duke thënë se të këtilla deklarata po e dëmtojnë procesin.