Nëntë vite më parë, Poliklinika Stomatologjike në Pejë ka përfituar në donacion një pajisje mjekësore të quajtur Ortopan, të cilën ia ka dhuruar Ambasada Amerikane.
Pranimi i kësaj pajisjeje është bërë në janar të vitit 2015 me një ceremoni, ku të pranishëm ishin përfaqësues të Ambasadës Amerikane, kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, drejtori i Shëndetësisë së kësaj komune Petrit Loci dhe mysafirë e punonjës të shumtë shëndetësorë.
Pajisja që në kohën kur ishte dhënë donacion ka kushtuar 8500 dollarë, nuk ka punuar asnjëherë, ndonëse në momentin e pranimit ishte vlerësuar si shumë e rëndësishme për qytetarët e Pejës nga autoritetet komunale të kësaj komune. Për vendosjen e këtij aparati vet komuna e Pejës, kishte investuar në kabinetin radiologjik 5000 euro.
Por, në kohën kur pajisja ka zënë një hapësirë të kësaj poliklinike pa kryer asnjëherë shërbimin që i dedikohet, pacientët kanë mësyrë sektorin privat.
Mes atyre që ofrojnë shërbime të ortopanit është edhe kabineti radiologjik ‘Panoramex’ në Pejë. Hulumtimi i emisionit Udhëve në RTK ka gjetur se bashkëpronar i këtij kabineti është Petrit Loci, drejtor i Shëndetësisë në komunën e Pejës.
Këtë, drejtori Loci e ka konfirmuar edhe në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit por edhe në intervistë për emisionin Udhëve. Përveç në këtë kabinet, drejtori i Shëndetësisë në komunën e Pejës është edhe pronar në një ordinancë private stomatologjike.
Partitë opozitare në Pejë insistojnë se kjo çështje duhet hetuar nga organet e ndjekjes, pasi siç pretendojnë ata, kjo është një “konflikt i pastër interesi”.
Emisioni Udhëve, ka vizituar Poliklinikën Stomatologjike në Pejë, ku ka konfirmuar së afërmi të gjeturat e këtij hulumtimi.
Për më shumë, ndiqeni videon e plotë.