21- vjeçari humbi jetën në aksidentin tragjik në Greqi, e motra: Do ta sjellim në Shqipëri, të prehet pranë babait.
Një 21-vjeçar shqiptar ka humbur jetën mbrëmjen e së hënës në ishullin e Kretës pas një aksidenti tragjik me motor. Mediat në Greqi kanë marrë tashmë detaje nga familjarët e Erdi Rushitajt.
I riu shqiptar ndërroi jetë bashkë me një shokun e tij 17-vjeçar pasi motori me të cilin po udhëtonin u përplas me një shtyllë dritash në rrugë. Sipas raportimeve, Erdi e kishte blerë motorin pesë muaj më parë.
Motra e të riut është shprehur: “Nuk dua të besoj se nuk do ta shoh më kurrë vëllain tonë të vogël…Është shumë e vështirë për të gjithë ne. Mësuam se çfarë kishte ndodhur rreth orës 05.00 të mëngjesit kur disa nga miqtë e tij erdhën këtu për të na informuar. Na kishin fikur celularët dhe ata erdhën këtu. Kjo që ndodhi është tragjike.”
Gjithashtu, motra e të riut ka treguar se kur i vëllai e solli për herë të parë motorin në shtëpi, ajo u shqetësua dhe i mori çelësat. Por ai këmbëngulte, derisa në një moment i gjeti dhe i mori.
“Erdi e kishte blerë motorin pesë muaj më parë. I pëlqente shumë. Kur e solli unë u shqetësova aq shumë sa i mora çelësat…Ne i thoshim vazhdimisht që të ishte i kujdesshëm. Ai gjithashtu ka një makinë, por motori i pëlqente më shumë. Po thonë që nuk kishte leje drejtimi, po ne e dimë që e kishte.”
Sipas deklaratave të të afërmve, trupi i pajetë i Erdit mund të sillet që të pushojë përgjithmonë në Shqipëri.
“Me siguri do të shkojmë në Shqipëri për funeralin e tij që ta ketë pranë babai. Ne jemi katër fëmijë. Këtu jetonte Edi dhe motra ime. Motra tjetër jeton në Shqipëri me nënën, të cilën e kemi pasur me ilaçe që kur e mori vesh. Ne kemi humbur babain në moshë të re. Vëllai jonë ishte shumë punëtor. Nga mëngjesi në darkë punonte se i pëlqente jeta e mirë.”
Ndërkohë, pritet që të sqarohen rrethanat e plota të ngjarjes.