Aksidentet rrugore janë shpeshtuar në vendin tonë.
Një aksident me fatalitet ka ndodhur sot pasdite në qytetin e Skenderajt.
Një veturë ka shkelur dy fëmijë (vëlla e motër). Policia e Kosovës e ka konfirmuar për Gazetën Express këtë rast.
Avni Zahiti, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, për regjionin e Mitrovicës ka treguar se aksidenti ka ndodhur rreth orës 14:30 në Skenderaj në rrugën “Mbretëresha Teutë”
Ai ka treguar se nga ky aksident janë lënduar dy fëmijë. Kurse, më vonë njëri nga ta ka ndërruar jetë.
“Të dy fëmijët janë dërguar në QKUK, ku djali i moshës rreth 13 vjeçar ka vdekur. Ndërsa, motra e tij e vogël 2 vjeçare është jashtë rrezikut për jetë. Fëmija i moshës 13-vejçar ka ndërruar jetë rreth orës 18:30”, ka treguat Zahiti për Express.
Ai ka thënë se personi që dyshohet se e ka kryer aksidentin është arrestuar.
“ Personi që ka qenë duke e vozitur veturën, dhe që dyshohet se a ka shkaktuar këtë aksident është arrestuar dhe i është caktuar masa e parandalimit prej 48 orëve”, ka thënë ai.
Zahiti ka thënë se aksidenti ka ndodhur për shkak të mos përshtatjes se kushteve nga ana e vozitësit.