Humbja e jetës së ish-luftëtarit të UÇK-së, QKUK rrëfen si ndodhi e gjithë ngjarja – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Humbja e jetës së ish-luftëtarit të UÇK-së, QKUK rrëfen si ndodhi e gjithë ngjarja

09:34 | 19 Janar 2019

Në QKUK janë deklaruar rreth vdekjes së ish-ushtarit të UÇK-së, Avni Hysenit.

Ditë më parë Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës kishte marr vendim që nga detyra të shkarkohej shefi i mjekimit Intensiv, Naim Kuçi dhe një infermiere. Këto shkarkime kishin të bënin me rastin e vdekjes së Avni Hysenit, vdekje e cila sipas familjarëve erdhi si pasojë e neglizhencës së stafit mjekësor.

Sot, Klinika e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv ka dal me një komunikatë për media, ku shpjegon të gjithë ngjarjen.

Sipas tyre, Hyseni ishte transferuar edhe në Spitalin Amerikan në Tiranë, ku ishte konsideruar si rast i pa trajtueshëm dhe më pas ishte rikthyer në Kosovë.

Në QKUK, përkatësisht në Klinikën e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv, pretendojnë se familjarët e të ndjerit kanë qenë të informuar vazhdimisht për gjendjen e tij, ani pse i vëllai në një rrëfim në televizion kishte deklaruar ndryshe.

Klinika e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv pretendon se mjekimi i tij është bërë sipas të gjitha standardeve mjekësore dhe nuk është neglizhuar nga vet ata, siç po pretendojnë familjarët.

Rikujtojmë, që familja e ish luftëtarit të lirisë Avni Hysenit, ka ngritur padi ndaj Spitalit Rajonal të Pejës, QKUK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Komunikata e plotë e Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv:

Me këtë informatë, Kolegjiumi i Kl. Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv informon opinionin e gjerë lidhur me rrjedhën trajtimit të pacientit Avni Hyseni, i cili ka ndërruar jetë në Mjekimin Intensiv Qendror (MIQ)-QKUK.

Me datën 12.12.2018, pacienti A. Hyseni ishte dërguar në Spitalin e Pejës, pa vetëdije dhe me ndërprerje të punës së zemrës. Pas disa orëve, pasi që patologjia ka qenë shumë e rëndë, ai transferohet në Q. Emergjente-QKUK, ku pas ekzaminimeve mjekësore, verifikohet Gjakderdhje masive në tru. I njëjti transferohet në MIQ, për mjekim intensiv dhe mbështetje respiratore, aty ku gravitojnë pacientët me patologji më të rënda nga të gjitha institucionet shëndetësore të Kosovës. Familjarët janë informuar për gjendjen shëndetësore të pacientit dhe prognozën e tij. Me vetiniciativë dhe insistim, familjarët vendosin që pacientin ta transferojnë në Spitalin Amerikan në Tiranë për trajtim të mëtutjeshëm, me përcjellje të ekipës mjekësore.

Sipas dokumentacionit që e posedojmë , në Spitalin Amerikan i janë bërë disa ekzaminime përmes të të cilave është konfirmuar Gjakderdhja masive në tru e shkallës më të rëndë, më vdekshmëri 100%, dhe rrjedhimisht është konsideruar si rast i patrajtueshëm në aspektin kirurgjik. Sipas këtij dokumentacioni, familjarët janë informuar për gjendjen dhe prognozën e rëndë të pacientit. Me datën 13.12.2018 sërish me vetiniciativë, familjarët vendosin që pacientin ta transferojnë në Spitalin e Pejës, duke marrë përsipër edhe rreziqet e transportit.

Në Spitalin e Pejës respektivisht në Mjekimin Intensiv, pacienti qëndron për 6 ditë ( nga dt. 13-19.12.2018), në gjendje Kome të pandryshuar. Me dt 19.12.2018 me vetëiniciativë të familjarëve, pacienti sërish transferohet në MIQ në QKUK.

Nga dita e parë në MIQ, pacienti vazhdon të trajtohet me të gjitha protokolet e trajtimit të pacientëve me një patologji të tillë. Janë kryer të gjitha ekzaminimimet radiologjike dhe laboratorike konform natyrës së sëmundjes, janë konsultuar të gjithë specialistet që kishin të bëjnë me sëmundjen e tij. Pacienti vazhdonte të mbijetonte përmes barnave të fuqishme ( kardiovaskulare) dhe aparaturës mjekësore.

Gjendja e përgjithshme mbetet gjithmonë e rëndë, me parametra të përkeqësimit në vazhdimësi. Lidhur me gjendjen e përgjithshme, seriozitetin e sëmundjes dhe rreziqet që pritet të ketë sëmundja e tij, sërish familjarët kanë qenë në vazhdimësi të informuar.

Gjatë qëndrimit në Mjekim Intensiv Qendror Me dt. 31.12.2018 në orët e mbrëmjes përkeqësohet gjendja e pacientit për të cilën gjë informohen familjarët. Rreth orës 21:00 ndalet puna e zemrës dhe përkundër masave të reanimimit, në ora 21:20 konstatohet vdekja e tij. Sipas procedurave standarde mjekësore, pas konstatimit të vdekjes, pacienti çkyqet nga aparaturat mjekësore. Menjëherë informohen familjarët dhe pas shpjegimit që masat reanimuese kanë qenë të pasuksesshme, ju shprehen ngushëllime të sinqerta për vdekjen e pacientit.

Duhet cekur që rregullat e përcaktuara në Mjekim Intensiv Qendror i lejojnë familjarët e ngushtë që t’i vizitojnë pacientë një herë në ditë, pas marrjes së informatave zyrtare në ora 13:00, si dhe familjarëve u jepet receta me barërat të cilat mungojnë në ditën e vizitës, e cila gjë variron varësisht nga furnizimet të cilat bëhen në QKUK.

Këto vizita janë të kufizuara, për shkak të rrezikut të bartjes së infeksioneve te kjo kategori e pacientëve, të cilët janë shumë të ndjeshëm.

Me dt. 10.01.2018 rreth orës 15:00, vëllai i të ndjerit A. Hyseni vjen në MIQ dhe kërkon dosjen komplete të të ndjerit. Përkundër sqarimeve që këto dokumente duhet të mirren në mënyrë të rregullt, përmes kërkesës në organet kompetente dhe se ekipa kujdestare nuk ka qasje në arkivën e dokumenteve, ai kërcënonte se do te ndodhin gjëra të këqija po që se nuk ofrohen të njëjtat, pa hyrë në detaje për fjalorin e rëndë, kërcënues, ofendues që i bën stafit mjekësor. Për shkaqe sigurie ftohet policia, e cila komunikon me stafin mjekësor, kolegët e tyre dhe familjarin, për të mbajtë në kontroll situatën. Sidoqoftë, pas komunikimeve të vazhdueshme me Drejtorinë për shkak të ndjeshmërisë së situatës së krijuar, vendoset që me urdhër të Drejtorit të Përgj, të ShSKUK, të ftohet stafi përgjegjës për hapjen e arkivës, të sigurohet dokumentacioni i fotokopijuar dhe t’i jepet familjarit.

Të nderuar qytetarë, në Klinikën e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv trajtohen pacientët më të rëndë të ardhur nga të gjitha institucionet shëndetësore dhe rrugët e Kosovës dhe çdo sekondë stafi mjekësor me përkushtimin më të madh, lufton për jetën e tyre. Ne jemi të gatshëm që me kompetencë t ju përgjigjemi të gjitha pyetjeve dhe shqetësimeve të organeve kompetnente dhe mediave elektronike apo të shkruara.

Njëkohësisht, kërkojmë nga të gjitha mediat që për çështjet të tilla të ndjeshme, së pari të komunikojnë me institucionet përgjegjëse shëndetësore, e pastaj të informojnë publikun, duke mundësuar kështu plasimin e vërtetë dhe të pagabuar të gjendjes faktike në opinionin publik, që besojmë se është qëllim i tyre, duke respektuar punën ekstrem të madhe të stafit mjekësor dhe duke kultivuar gazetarinë e mirëfilltë hulumtuese dhe informuese.

Komento: