Po konsiderohet ndër lojtarët me të mirë në botë.
Ylli francez i Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappe, pretendon se ai ka pasur probleme me gjumin që nga eliminimi i skuadrës së tij nga Liga e Kampionëve, në ndeshjen kundër Manchester Unitedit.
Parisienët e kishin fituar ndeshjen e parë, në Old Trafford, me rezultat 2:0, në kuadër të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve. Mirëpo, ata e humbën ndeshjen kthyese, me rezultat 3:1, duke bërë kështu që skuadra e Ole Gunnar Solskjaer të kualifikohet për shkak të golave si mysafir, transmeton Express.
Ishte menduar se do të jetë e pamundur për skuadrën e Ole Gunnar Solskjaerit ta arrijë këtë triumf, për shkak të dominimit që PSG-ja kishte shfaqur në ndeshjen e parë dhe për shkak të numrit të madh të lëndimeve në skuadrën e “Djajve të kuq”, gjithsej dhjetë.
Unitedi kaloi në epërsi qysh në minutën e dytë të ndeshjes, përmes Romelu Lukakus, i cili shënoi përsëri, pasi e barazoi rezultatin Juan Bernat. Dhe në momentet e fundit të ndeshjes, Rashford arriti ta shënojë penalltinë, të cilën gjyqtari e akordoi pasi Presnel Kimpembe e preku topin me dorë brenda zonës së penalltisë.
PSG-ja e dominoi ndeshjen, duke e mbajtur 73 për qind të topin gjatë ndeshjes, mirëpo francezët bënë vetëm katër goditje në drejtim të portës, po aq sa anglezët. Fati i tyre u përcaktua nga një penallti e Marcus Rashfordit, në minutën e katërt të minutave shtesë.
“Jam i tronditur, nuk kam asnjë fjalë. Nuk kam mundur të flej mirë dhe mendoj se e njëjta gjë u ka ndodhur edhe të tjerëve. Është e vështirë. Ne kemi punuar shumë për të arritur deri në atë pikë dhe tani jemi të eliminuar”, ka thënë Mbappe.
“Të them të drejtën, Liga e Kampionëve ishte qëllimi ynë, ne po punonim bashkë çdo ditë për ta arritur këtë qëllim. Tifozët ishim ne gjithashtu. Stadiumi ishte i mbushur, tifozët e bënë punën e tyre dhe na ofruan mbështetje. Ishte një atmosferë magjike dhe ne e prishëm. Nuk deshëm ta prishim, por e bëmë këtë gjë”.